Sulmet e Iranit, Rama: Shqipëria në solidaritet të plotë me Emiratet e Bashkuara Arabe

TË FUNDIT

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me sulmet e fundit ndaj Emiratet e Bashkuara Arabe, duke i cilësuar ato si një kërcënim serioz për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Në deklaratën e tij, Rama thekson se sulmet nuk përbëjnë vetëm një akt kundër një shteti sovran, por edhe ndaj vetë idesë së një Lindjeje të Mesme të bazuar në paqe dhe bashkëpunim. Ai nënvizon se goditja e një vendi që, sipas tij, përfaqëson stabilitet dhe zhvillim në rajon, përbën një sfidë për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Kreu i qeverisë shqiptare shpreh solidaritetin e plotë të Shqipërisë me udhëheqjen dhe popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke theksuar se siguria në rajonin e Gjirit Persik ka rëndësi globale, për shkak të ndikimit në rrugët energjetike, korridoret tregtare dhe arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare.

Në deklaratë, Rama bën thirrje që komuniteti ndërkombëtar të reagojë me qartësi dhe unitet ndaj çdo forme agresioni që, sipas tij, cenon stabilitetin dhe paqen rajonale.

Ai vlerëson rolin e Emirateve të Bashkuara Arabe si një faktor stabiliteti dhe progresi në rajon, duke përmendur edhe udhëheqjen e presidentit Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Në përfundim, Rama thekson se e ardhmja e rajonit duhet të ndërtohet mbi bashkëpunim, integrim ekonomik dhe udhëheqje të përgjegjshme, e jo mbi konflikt dhe përshkallëzim.