Baza ushtarake Ali al Salem në Kuvajt, ku janë të stacionuar forcat amerikane dhe italiane, u sulmua këtë mëngjes nga një dron iranian.
Mjeti ajror pa pilot goditi një magazinë dhe shkatërroi një dron të Forcave Ajrore italiane.
Ministria e Mbrojtjes e Italisë njoftoi se gjatë sulmit nuk ka ushtarë të lënduar.
“Nuk ka asnjë rrezik apo problem për ushtarët tanë. Kuvajti është një objektiv ushtarak iranian për shkak të pranisë së bazave amerikane. Nuk do të na trembin, do të vazhdojmë t’i respektojmë obligimet ndërkombëtare të marra”, deklaroi shefi i diplomacisë italiane, Antonio Tajani.
Gjenerali Luciano Portolano në një postim në X njoftoi se një avion i pilotuar nga distanca që i përkiste forcave ajrore italiane u shkatërrua në sulm.
“Ishte një aset i domosdoshëm për aktivitetet operative dhe kishte mbetur i vendosur në bazë për të siguruar vazhdimësinë e operacioneve”, tha ai.
Portolano shtoi se i gjithë personeli italian në bazë ishte i sigurt gjatë sulmit.
“Vendosja e anëtarëve të shërbimit italian u zvogëlua në ditët para sulmit në përgjigje të situatës në zhvillim të sigurisë në zonë”, shtoi ai.
Sipas tij ata që mbeten në bazë po vendosen për të kryer aktivitetet thelbësore të misionit. Ai thekson se situata po monitorohet vazhdimisht nga Shefi i Shtabit të Mbrojtjes dhe nga Shtabi i Operacioneve të Përbashkëta, të cilët mbajnë kontakt të vazhdueshëm me kontingjentet në terren.
