Sulejmani: Fatkeqësisht edhe në këto zgjedhje duhet të flasim për ujë të pijshëm e kanalizim! Sejdiu: Zhelina duket si një qytet! Kemi bërë shumë, por ka edhe shumë punë për t’u bërë

TË FUNDIT

Kandidati për kryetar të Zhelinës nga AKI, Emir Sulejmani tha se është fatkeqësi që edhe në këto zgjedhje duhet të flitet për gjëra elementare si uji i pijshëm, kanalizimi e infrastruktura. Në Debat21, Sulejmani tregoi projektet me prioritet që siç tha, do të ndërtohen rrugë e do të ketë ujësjellës funksional për të gjitha vendbanimet.

“Sa u përket projekteve konkrete, në infrastrukturë ne kemi paraparë ndërtimin e  të gjitha rrugëve të cilat nuk janë. Kemi paraparë ndërtimin e  rrugës Striminicë-Saraçinë, Strimincë-Zhelinë, dy rrugë të cilat kanë mbetur pa asfaltuar në fshatin Zhelinë, rrugët nëpër vendbanimet e Dervenit. Nga 17 vendbanime të Zhelinës, në 15 nuk kemi ujësjellës funksional. Fatkeqësisht për 8 vite nuk u arrit që asnjë vendbanim të ketë ujësjellës funksional. Kemi probleme sa i përket çështjes së arsimit”, tha Emir Sulejmani.

Në anën tjetër, kryetari aktual, njëherit edhe kandidat i VLEN për Zhelinën, Blerim Sejdiu tha se në “Zhelina tani ka marrë pamjen e një qyteti” dhe se “është transformuar e gjithë komuna”. Sejdiu tha se në këtë mandat do të ndërtohen qendra klinike, salla sporti, rrugë e do të punohet edhe në turizëm

“Të gjitha rrugët që lidhin fshatrat tona ne do t’i bëjmë realitet. Ne nuk jemi ndalur, me rrugët, me mbeturinat që i hoqëm, me shkollat që jemi duke i renovu. Në Merovë jemi ujësjellësin duke e bërë, në Kapazhdoll e përfunduam, me rrjetat e kanalizimit dhe ajo që është një projekt gjigand është stacioni i filtrimit që e kem projektin në përfundim e sipër dhe mandatin e ardhshëm e jap fjalën se do ta ndërtojmë stacionin e filtrimit të ujërave të zeza”, tha Blerim Sejdiu.