Një stuhi e fuqishme e shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë ka shkaktuar dëme në disa komuna të Maqedonisë, përfshirë Strumicën, Radovishin, Dellçevën, Dojranin dhe Kumanovën, përcjell TV21. Si pasojë, janë rrëzuar pemë dhe shtylla elektrike, janë dëmtuar çati, automjete dhe rrjeti i energjisë elektrike, ndërsa në disa zona janë bllokuar edhe rrugët. Në Strumicë janë regjistruar zjarre në një stallë dhe në sipërfaqe me bar të thatë, ndërsa zjarrfikësit kanë larguar pemët e rrëzuara.
Në Dellçevë dëmet kanë qenë më të mëdha, me çati të dëmtuara, shtylla elektrike të rrëzuara dhe evakuim të sigurt të disa banorëve, përfshirë edhe fëmijë. Në Kumanovë era ka rrëzuar pemë dhe pjesë çatie në disa rrugë, ndërsa në Dojran janë dëmtuar dhjetëra pemë shumëvjeçare, automjete dhe objekte pranë liqenit.
Autoritetet dhe shërbimet e emergjencës vijojnë me pastrimin e terrenit dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen pranë pemëve, kabllove elektrike dhe zonave të dëmtuara, si dhe të raportojnë çdo rrezik te shërbimet kompetente.
