Na ndajnë vetëm dy ditë nga protesta e paralajmëruar e studentëve shqiptarë lidhur me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe. Përmes një video-mesazhi, studentët u bëjnë thirrje qytetarëve, profesorëve dhe studenteve që t’u bashkohen protestës së paralajmëruar më 18 maj në Shkup, me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”. Sipas tyre, protesta ka për qëllim mbrojtjen e gjuhës shqipe, dinjitetit dhe respektimin e Kushtetutës e ligjeve.
“Të dashur studentë nga Shqipëria, Kosova dhe të gjithë studentët shqiptarë kudo në botë. Sot studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë nevojë për zërin dhe solidaritetin tuaj, kjo protestë është për mbrojtjen e gjuhës shqipe, dinjitetin dhe të drejtat tona si qytetarë të barabartë. Gjuha shqipe nuk është vetëm mjet komunikimi, por pjesë e identitetit dhe amanet që nuk negociohet. Na mbështetni, shpërndajeni zërin tonë dhe ejani në krah të studentëve. Në krah të studentëve, në krah të shqiptarëve”, tha Shahe Ramadani – studente.
Protesta e studentëve ka marrë përmasa të mëdha edhe në rajon. Në mbështetje të tyre kanë dalë figura të ndryshme politike, akademike dhe kulturore në hapësirat shqiptare. Ish-presidentja e Kosovës Vjosa Osmani me mesazh se Kosova do të jetë gjithmonë përkrah studentëve.
“Shumë shpejt studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut organizojnë edhe një protestë për të mbrojtur gjuhën shqipe, të drejtën e tyre në arsim. Nga Vitia më lejoni t’u jap përkrahjen tonë të plotë, do të jemi me ta deri në fund, për të mbrojtur të drejtat e tyre që i kanë fituar në procese ndërkombëtare. Ne si Kosovë nuk duhet të përzihemi në çështje partiake në RMV, por asnjëherë nuk do të lejojmë që të drejtat e tyre të cenohen”, u shpreh Vjosa Osman, ish-presidente e Kosovës.
Në përkrahje doli edhe Ministri i Administratës Publike në Malin e Zi, Marash Dukaj. Sipas tij, studentët nuk po kërkojnë privilegje, por të drejtën themelore për të mësuar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën amtare.
“Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk po kërkojnë privilegje, por një të drejtë themelore: të mësojnë dhe të vlerësohen në gjuhën e tyre amtare.”
Edhe prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, në rrjetin social Facebook shkroi: “Të bashkohemi me studentët e Shkupit. Të mbrojmë gjuhën shqipe dhe identitetin tonë kombëtar.” Tifozët Kuqezi të Kombëtares Shqiptare dhe tifo-grupi “Plisat” nga Prishtina kanë konfirmuar zyrtarisht mbështetjen e tyre për protestën. Ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare të Futbollit Lorik Cana, duke përkrahur studentët, thotë se gjuha është shtyllë e identitetit kombëtar dhe se mohimi i saj nënkupton mohim të barazisë dhe të drejtave themelore. Në mbështetje të studentëve janë edhe shumë figura të tjera nga vendi dhe jashtë.
