Studentët mbrëmë u takuan me zv/kryeministrin Bekim Sali në Qeveri për të diskutuar rreth nismës që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Ajo që ra në sy, është se nuk u postua asnjë fotografi e nuk u dha asnjë njoftim për këtë takim.
Mevlan Ademi nga nisma studentore tregoi për TV21 se nuk u dakorduan me zv/kryeministrin Sali, pasi nuk pajtohen me metodën me të cilën qeveria përpiqet ta zgjidhë çështjen, që propozim-ligji të dërgohet në Komisionin e Venecias. Kjo sipas Ademit vetëm do ta zvarrisë procedurën.
“Propozimi jonë është që të bazohemi në ligjin për përdorimin e gjuhës, i cili është shumë i qartë dhe ideja e tyre ishte që të propozojnë harmonizim të ligjit, por kjo neve nuk na pëlqeu, shkaku i kohës që do të marrë ajo. Ata menduan që propozimi ligjor njëherë të dërgohet te Komisioni i Venecias duke përfshirë edhe komunitetet tjera të cilat janë të përmendura në preambulën e Kushtetutës së vendit tonë, mendojmë që kjo do të zvarrisë procedurën e kërkesës sonë”, tha Mevlan Ademi.
TV21 për çështjen përgjigje kërkoi edhe nga Qeveria, por nuk morëm.
Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, i pyetur për deklaratën e kryeministrit Mickoski, se është i gatshëm të bëhen ndryshime ligjore për të mundësuar dhënien e provimit të jurisprodencës edhe në gjuhën shqipe, prerë tha se një mundësi e tillë nuk ekziston.
-A mund të ndryshohet ligji, siç tha edhe kryeministri?
-Për momentin nuk ka mundësi të tillë. Mbetemi të hapur për diskutim.
Ditë më parë, kryeministri e tërhoqi deklaratën e dhënë paraprakisht për mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në shqip sepse ligji është i qartë. Pas kësaj tha se për këtë duhet të bëhen ndryshime ligjore dhe ligji të dërgohet në Komisionin e Venecias.
