Nga pallati i bardhë 8 katesh i VMRO-DPMNE-së, partisë do t’i mbeten vetëm fotografitë, moblijet dhe trualli, sepse objekti do të konfiskohet. Kështu ishte vendimi i djeshëm i gjykatës Penale në rastin “Talir 2”. E në pallat dëshirojnë të vendosen studentët. Asambleja Universitare e Studentëve në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” kërkojnë që objekti I konfiskuar të shndërrohet në konvikt për studentët.
“Studentëve ju takon luksi të cilën politikanët deri tani e kanë shijuar në mënyrë të pamerituar! Ky është shansi që të gjitha përpjekjet se e ardhmja është e të rinjve dhe se shteti kujdeset për ne le ta tregojnë këtë në realitet! Ky është një shans që të korrigjohen gabimet në shpenzimin e parave. Nuk na duhen lusterët prej kristali dhe fotografitë në ari, na duhen tualete me dyer që mbyllen, tavane pa myk dhe mure të izoluara”- thanë nga Asambleja Universitare e Studentëve Në “Shën Kiril Dhe Metodi.
Përveç pallatit të bardhë, VMRO-DPMNE-së do t’i konfiskohen edhe 30 seli të tjera të partisë që janë fituar në mënyrë të jashtëligjshme. Aktgjykimi për rastin Talir 2, VMRO-DPMNE e quan si të porositur nga LSDM.
“Vendimi për Talir është një defokus mbi jetën në një katastrofë kombëtare, rritje çmimesh dhe grabitje të njerëzve. Prokuroria dhe gjykata janë krah i zgjatur i LSDM-së. Aktgjykimi për rastin Talir 2 është shkruar para kohe”- thanë nga VMRO-DPMNE.
Shtojnë se LSDM është e vetmja parti në botë që ka seli partiake ndërtesën e ish-Ministrisë së Arsimit. Nga blloku tjetër, LSDM vendimin e gjykatës Penale e quan si korrigjim i një tjetër padrejtësie të bërë nga VMRO-DPMNE.
“Aktgjykimi në rastin “Talir 2” është fitore e drejtësisë mbi skandalet më të mëdha korruptive të shtetit dhe vërtetim për krimet e përmasave të mëdha të VMRO-DPMNE. Është rregulluar edhe një padrejtësi që është bërë në shpinën e qytetarëve”- deklaroi Bogdanka Kuzeska, Zëdhënëse e LSDM-së.
Në lëndën “Talir 2” përveç konfiskimit të pronës, për shpërdorim të detyrës zyrtare me 6 vite burg u dënua edhe ish-lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, ndërsa ish-sekretari i përgjithshëm i partisë Kiril Bozhinovski u dënua me dy vjet me kusht.
