Studentët e bllokuar në Jordani! Pa rrugëzgjidhje për riatdhesim, Ministria e Jashtme pret përgjigje nga Turqia

TË FUNDIT

13 shtetas duan të kthehen nga Jordania në Maqedoninë e Veriut. Ata kanë mbetur të bllokuar për shkak të krizës me koronavirusin.

7 prej tyre janë familjarë, ndërsa 6 janë studentë në kryeqytetin jordanez Aman, të cilët tashmë kanë mbaruar shkollën dhe janë pa asnjë punë.

“Unë çdo ditë jam me Konsullin në kontakt dhe çdo ditë na kanë thënë se kufijtë janë të mbyllur, është shumë rëndë për të udhëtuar, vetëm e vetëm nëse Maqedonia u siguron aeroplanë privat për t’u rikthyer”, tha Shpresim Nuredini, student në Jordani. 

Nuredini tregon se nga fillimi i muajit qershor Jordania do të lehtësojë masat, ndërsa një fije shprese për tu riatdhesuar e kanë tek një fluturim i Turqisë që do të marrë studentët e vet.

“Ne kërkojmë që edhe në të jemi pjesë e atij udhëtimi për t’u kthyer në Maqedoni, ngase ky udhëtim është vetëm për nxënësit e Turqisë, ne për të hipur në këtë aeroplan duhet të bëhet kërkesë Konsulli, me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Maqedonia bashkë me Ambasadën e Turqisë”, tha Shpresim Nuredini, student në Jordani.

Ministria jonë e Jashtme ka kontaktuar me autoritetet turke, por përgjigje ende nuk kanë marrë.

“Vazhdimisht bëhen përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme në këto rrethana të vështira, për çka edhe ka kontakte të rregullta edhe me autoritetet turke për marrjen e studentëve tanë në fluturimin e tyre, e për çka për momentin nuk ka konfirmim zyrtar nga ana turke dhe se kur do të ndodhë”, u tha nga Ministria e Jashtme e RMV-së.

Nga Ministria e Jashtme tregojnë se tashmë dy muaj është duke u marrë me rastin e të bllokuarve në Jordani, ndërsa kanë dështuar dy përpjekje për riatdhesim. E para, siç thonë nga MPJ, për shkak të mospërputhjes së orareve mes udhëtarëve, ndërsa përpjekja e dytë s[ka pasur sukses për shkak të çmimit të lartë të biletave të avionit që e kanë ofruar kompanitë ajrore.