Strategjia fiskale e rishikuar 2026-2030! PBV-ja për këtë vit 3,5 % në vend të 3,7 % – inflacioni 3,9 % në vend të 2,8 %

TË FUNDIT

Rritje më e ulët e PBV-së, inflacion më i lartë për këtë vit, borxhi publik mbi 60% të PBV-së deri në vitin 2028. Strategjia fiskale e rishikuar për periudhën 2026–2030, e cila u miratua nga Qeveria, ka arritur te deputetët. Rritja e PBV-së për këtë vit, në vend të 3,7% siç ishte plani fillestar, zbret në 3,5%, dhe ka zvogëlim të rritjes së ekonomisë edhe për vitet e ardhshme deri në vitin 2030. Inflacioni për këtë vit, në vend të 2,8 % siç ishte planifikuar, korrigjohet përpjetë në 3,9%, ndërsa në vitin 2026, në vend të 2% do të jetë 2,5%, dhe vitet e ardhshme pritet të ulet në 2%.

-Në vitin 2025 pritet rritje e mëtejshme e ekonomisë, me një nivel pak më të moderuar krahasuar me parashikimin e mëparshëm, si rezultat i realizimeve në vitin aktual, rishikimi në rritje i realizimeve për vitin 2024, por edhe rreziqet që dalin nga mjedisi i jashtëm, kryesisht tek partnerët kryesorë tregtarë. Në periudhën e ardhshme pritet prolongim i dinamikës së realizimit të normave më të larta të rritjes ekonomike. Deviacione për vitin 2025 ka edhe te norma e inflacionit, e cila është rishikuar lart, sipas realizimeve në 10 muajt e parë të vitit.

Kështu, në vend të rritjes së planifikuar të PBV-së prej 4% në vitin 2026, ajo u ul në 3,8%. Dhe nëse me strategjinë fiskale fillestare ishte planifikuar që vendi të arrinte rritje të PBV-së në vitin 2029 dhe 2030 prej 4,8 dhe 4,7%, tani ajo është ulur dhe pritet që vitin 2030 ta përfundojmë me rritje të PBV-së prej 4,3%. Deficiti buxhetor për këtë vit është 4% të PBV-së, ndërsa në vitin 2026 do të jetë 3,5%, që është mbi rregullat fiskale që ai të jetë nën 3% të PBV-së.

Por këto janë parashikimet bazë. Ministria e Financave ka bërë simulime për rreziqet në 4 skenarë. Më i keqi është i katërti, por do të ndalemi vetëm te skenari i parë i rrezikshëm. Ai është në rast se kemi aktivitet ekonomik të reduktuar në periudhën deri në vitin 2030 si rezultat i kërcënimeve globale, por edhe të brendshme, nëse realizimi i projekteve të mëdha infrastrukturore vazhdon të shtyhet.

Sipas këtij skenari, parashikimi për rritjen mesatare reale të PBV-së midis 2026 dhe 2030 është për 1,0 pikë përqindjeje më i ulët se në skenarin bazë. Ky skenar do të rezultonte me deficit buxhetor më të madh për 0,5 pikë përqindjeje të PBV-së në mesatare vjetore midis 2026 dhe 2030, ndërsa borxhi shtetëror do të ishte më i lartë për 4,2 pikë përqindjeje të PBV-së në fund të vitit 2030.

Ndërkaq, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, të premten, duke komentuar rritjen e PBV-së për tremujorin e tretë prej 3,8% të publikuar nga statistika, theksoi se Maqedonia renditet e treta për nga rritja e PBV-së në Evropë, pas Irlandës dhe Danimarkës.