Strasburgu hodhi poshtë ankesat për abolim! Ilievski: Është vendosur për aplikimet, e jo për abolimin

TË FUNDIT

Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg vendosi se kërkesat për shqyrtimin e abolimit të dhënë e më pas të tërhequr nga ish-presidenti Gjorge Ivanov janë të papranueshme.  Nga gjykatat thonë se nuk mund të veprojnë mbi abolimin e Ivanovit për shkak se të akuzuarit dhe të dënuarit nuk kanë shterur të gjitha mjetet juridike vendore, që do të thotë se njëherë lëndët duhet të mbarojnë në të gjitha instancat gjyqësore në vend. Ky vendim do të thotë se lëndët ish-prokurorisë Speciale për ish-zyrtarët e VMRO-DPMNE-së do të vazhdojnë të procedohen.

“Shumë nga aplikuesit ishin anëtarë të partisë në pushtet (VMRO-DPMNE) në kohën kur kanë ndodhur ngjarjet në fjalë dhe të gjithë kishin poste të rëndësishme publike, duke përfshirë kryeministrin, ministrat e kabinetit dhe kryetarët e komunave. Ata po gjykohen për krime të dyshuara që lidhen dhe rrjedhin nga përmbajtja e përgjimeve të paligjshme. Ata morën falje presidenciale, të cilat më vonë u anuluan. Pas anulimeve janë gjykuar, gjë që është objekt i këtij rasti. Gjykata vendosi që ankuesit nuk i kishin shteruar mjetet e tyre të brendshme juridike“, thonë nga Gjykata  për të Drejtat e njeriut në Strasburg.

Për avokati Vllatko Ilievki, i cili është edhe përfaqësues i të gjithë aplikuesve në Strasburg, është e pakuptueshme periudha kohorë që i është dashur Gjykatës së Strasburg që të vendose se kërkesa e tyre është e parakohshme.

“Është e çuditshme pak që gjykatës i janë dashur 5 vjet e gjysmë që të vendosë që aplikimi është i parakohshëm. Thelbi i aplikimit ishte se aplikuesit aspak nuk është dashur të gjykohen dhe për këtë arsye nuk duhej të pritet vendim nga gjykatat e vendit. Mendoj se Qeveria nuk ka nevojë të gëzohet ose të tregojë triumfalizëm sepse ky nuk është aplikim i refuzuar për shkak se është i pabazuar, por për shkak se është i parakohshëm. Shpresoj se gjykatat e vendit i kanë parasysh argumentet që janë përdorur në aplikimet dhe do t’i zbatojnë në mënyrë adekuate në aktgjykimet që vijojnë”, theksoi Vllatko Ilievski, avokat.

Vendimi i Strasburgut ka të bëjë me të akuzuarit e ish-prokurorisë special në lëndët “Target-Fortesa”, “TNT”, “Titanik” dhe “Transportuesi” të cilët do të duhet të përgjigjen penalisht për vepra të cilat përndiqen. Ankesa deri në gjykatën e Strasburgut ishte dorëzuar në vitin 2017 në të cilën është theksuar se abolimi nëse njëherë bëhet, nuk mundet të tërhiqet.