Deponia Rusino vazhdon të jetë e bllokuar nga aktivistet e lëvizjes “Stop Rusino” Kërkojnë që kjo deponi të mbyllet ose të dislokohet në ndonjë vend tjetër. Fadbi Ilizai aktivist i kësaj lëvizje thotë se ata edhe për 10 ditë tjera do të qëndrojnë në hyrje të kësaj deponie, ndërsa kërkojnë nga Qeveria të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë pasi që ata nuk do tërhiqen nga kërkesat e tyre.
“Realisht e pyesim ministrin sa kushton jeta e një njeriu, të gjithë qytetarët e Gostivarit pyesin sa kushton jeta jonë dhe a blihet me para shëndeti jonë. Ne shpresojmë që të zgjidhet, fundja ata e kanë obligim që të na sigurojnë ajër të pastër. E kemi të drejtë ligjore që kur të kalosh të mos mund të lëvizësh as në këmbë dhe këtë punë na e kanë borxh”,-tha Fatbi Iljazi nga Stop Rusino.
Por ministri Nuredini thotë se për momentin në këtë deponi do të duhet të hidhen mbeturinat edhe për disa vite tjera pasi që sipas tij kjo deponi nuk mund të mbyllet.
“Rusino është një deponi kalimtare, plani është që ta përdorin atë për maksimum deri në 10 vjet. Projekti për Rusino është shumë i rëndësishëm për ne sepse mbetjet do të duhet të hidhen atje edhe për disa vjet. Nëse e mbyllim, ku do të hidhen mbeturinat nga të gjithë banorët që jetojnë në rajonin e Pollogut. Ideja për zero mbeturina atje është shumë e mirë dhe shumë ekologjike ,por në të vërtetë nuk ekziston diçka e tillë si zero mbeturina”,- Naser Nuredini, ministër i Ambientit Jetësor.
Deponia Rusino për momentin është duke u shfrytëzuar vetëm nga komuna e Gosivarit ndërsa komunat tjera janë duke i hedhur në lokacione të ndryshme. Komuna e Mavrovës dhe Rostushës mbeturinat është duke i hedhur në disa pjesë të malit me çka rrezikohet që edhe parku Nacional i Mavrovës të shndërrohet në një deponi nga kjo komunë. Deponia Rusino për një muaj rresht u përfshi edhe nga zjarri me çka edhe ngriti qytetarët e Gostivarit në protesta.