Stoltenberg përshëndet konfirmimin me burg të përjetshëm për Mlladiqin

TË FUNDIT

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg ka mirëpritur vendimin për konfirmimin me burg të përjetshëm ndaj kriminelit të Bosnjës Ratko Mlladiq.

Ai në një postim në “Twitter” ka shkruar se është e drejtë që Mlladiq mbahet përgjegjës për krimet e tij të egra kundër civilëve, përfshirë vrasjen e mijëra burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenica në vitin 1995.

“NATO ndihmoi për t’i dhënë fund dy luftërave etnike në Ballkanin Perëndimor në vitet 1990 dhe për të mbyllur një kapitull të errët dhe të turpshëm në historinë evropiane. Rajoni mbetet strategjikisht i rëndësishëm për Aleancën tonë. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke promovuar paqen dhe pajtimin”, ka shkruar Stoltenberg.

Ish-udhëheqësi i ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, do të vuajë dënimin e tij të përjetshëm pasi një apel ndaj dënimeve të tij për krime lufte u refuzua të martën.

Mlladiq, 79, u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2017 pasi u shpall fajtor për gjenocid për mizoritë e kryera gjatë luftës në Bosnje nga 1992 deri më 1995.