Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke komentuar situatën në Ukrainë, ka thënë se ky është moment i rëndë për sigurinë në Evropë.
“Ne kemi një luftë në Evropë, të shkallës dhe llojit që kemi menduar se i përkiste historisë”.
Ai ka thënë se ka përfunduar një takim me zyrtarë të NATO-s dhe një listë të gjatë të shteteve që janë pajtuar për të mbajtur konsultime urgjente.
Stoltenberg ka thënë se sulmi “i pajustifikuar dhe i paprovokuar” ndaj Ukrainës është duke vënë në rrezik jetët e shumë njerëzve.
Sipas tij, Rusia ka nisur sulmet nga toka dhe ajri nga drejtime të ndryshme, duke shënjestruar infrastrukturën ushtarake dhe qendrat e qyteteve urbane të Ukrainës.
“Ky është një pushtim i qëllimshëm dhe gjakftohtë që është planifikuar gjatë”, ka thënë ai.
Stolteneberg pohoi se liderët rusë do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre dhe jetët e humbura.
Ai është zotuar se aleanca do të mbrojë “secilin inç” të territorit të vendeve anëtare.
“Ne do të përgjigjemi me unitet edhe më të madh”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media, pas mbajtjes së një takimi urgjent me ambasadorët e NATO-s në Bruksel.
“Ajo çfarë ne bëjmë është mbrojtja”, ka thënë Stoltenberg, i cili ka konfirmuar se NATO-ja do të mbajë një samit virtual me 30 vendet anëtare më 25 shkurt.
Stoltenberg ka përsëritur përkushtimin e aleancës ndaj Artikullit 5, i cili parasheh që sulmi ndaj një vendi anëtar, nënkupton sulm ndaj të gjitha vendeve tjera anëtare.
Ai ka thënë se aleanca do të aktivizojë “planet e mbrojtjes” për vendet aleate që nuk janë anëtare.
Shefi i NATO-s ka thënë se aleanca e Perëndimit është duke rritur kapacitetet për mbrojtje.
