Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se mbështetja ushtarake për Ukrainën nuk do të ndalet, por nuk iu përgjigj pranimit të shpejtë të vendit në Aleancë, siç kërkoi Zelenski, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Kreu i Aleancës Veriatlantike ka mbajtur konferencë për shtyp pasditen e sotme pas fjalimeve të presidentit rus dhe ukrainas sot, si dhe aktit zyrtar të aneksimit të katër rajoneve të Ukrainës drejtë Rusisë pas referendumeve.
Jens Stoltenberg deklaroi se aneksimi i Hersonit, Zaporizhjes, Donjeckut dhe Luganskut nga Rusia ishte “përpjekja më e madhe për aneksimin e dhunshëm të territorit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Ai tha se vetëm Putin ka përgjegjësinë për t’i dhënë fund luftës.
Në lidhje me kërkesën për anëtarësim në NATO, të nënshkruar nga presidenti ukrainas Zelenski pasditen e sotme, Stoltenberg përsëriti se çdo vend në Evropë ka të drejtë të aplikojë, por se për momentin fokusi është në ndihmën ndaj Ukrainës. Njeriu i parë i Aleancës nuk u përgjigj as për mundësinë e anëtarësimit të shpejtë që kërkon Zelenski, sipas shembullit të Suedisë.
