Stevo Pendarovski i pari në fletëvotim, me short u përcaktua radhitja e kandidatëve për zgjedhjet presidenciale

TË FUNDIT

Përmes shortit në KSHZ u përcaktua radhitja e kandidatëve për president në fletëvotim. Me tërheqje publike, përfaqësuesit e partive që qëndrojnë pas kandidaturave i tërhoqën zarfet me numrin rendorë sipas të cilit do të radhitet kandidati i tyre në fletëvotim. Në lidhje me atë se si do duket fletëvotimi në zgjedhjet presidenciale informoi kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.

“Numër 1 Stevo Pendarovski, numër 2 Gordana Siljanovska Davkova, numër 3 Stevçe Jakimovski, numër 4 Bujar Osmani, numër 5 Biljana Vankovska Cvetkovska, numër 6 Arben Taravari dhe numër 7 Maksim Dimitrievski”, tha Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

Dashtevski njëkohësisht njoftoi se përgatitjet për zgjedhjet po zhvillohen siç duhet dhe se të gjitha obligimet janë zbatuar brenda afateve ligjore. Po ashtu nisin edhe përgatitjet për zgjedhjet parlamentare.

“Zhvillohen, disa veprime janë harmonizuar e disa jo. Për shembull lista zgjedhore ende nuk është mbyllur për zgjedhjet parlamentare dhe qytetarët mund ta kontrollojnë. Do të hidhet short, kur të caktohen listat mendoj se kjo i bie më 2 prill për dorëzim, pastaj kemi 48 orë që t’i konfirmojmë. Pra paralelisht zhvillohen veprimet edhe për zgjedhjet parlamentare, disa afate janë të njëjta e disa jo”, pohoi Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

Përndryshe për zgjedhjet presidenciale do të votojë edhe diaspora, për çka më së shumti janë paraqitur nga Gjermania por ka edhe nga vendet e tjera europiane, pastaj në SHBA, Kanadë dhe Australi. Diaspora nuk mund të votojë për zgjedhjet parlamentare për shkak se nuk është arritur  norma ligjore të të paraqiturve përkatësisht duhet të ketë të paktën 5355 persona të paraqitur, aq sa vota ka marrë deputeti me numrin më të vogël të votave në zgjedhjet e fundit.