Tragjedia në Qendrën modulare Covid në Tetovë, ka hapur dilema për cilësinë dhe sigurinë e qendrave të tjera modulare. Spitali modular pranë Klinikës Infektive në Shkup ka kapacitet për 70 shtretër, ndërsa drejtoresha Milena Stevanoviq, beson se qendra modulare është e sigurt. Shton se në to janë shpëtuar mijëra jetë njerëzish.
“Unë besoj se janë të sigurta. Të gjitha kanë dokumentet e tyre të pranimit teknik dhe dokumente ndërtimi edhe atë pa asnjë vërejtje në to. Ja, flas për spitalin modular e cila ka kapacitet deri për 70 shtretër dhe është e bashkëngjitur afër Klinikës Infektive në Shkup. Të ju rikujtoj se mijëra pacientë janë shpëtuar nga gjendja e rëndë shëndetësore, nga gjendja mesatarisht e rëndë me Covid-19 dhe ne nuk mund të themi se spitali modular nuk është mënyrë për një kujdes dhe trajtim cilësor të pacientëve”, tha Stevanoviq.
Këto qendra modulare, sipas mjekut Bekim Tateshi nuk janë adekuate dhe nuk i plotësojnë kushtet për trajtim të pacientëve me pasqyrë të rëndë klinike nga Covid-19. Sipas tij, aty duhet të trajtohen vetëm pacientë të cilët janë me gjendjen të lehtë shëndetësore.
“Spitalet modulare sipas mendimit tim si mjek, mund të jenë si objekte ndihmëse në kështu rastesh dhe sipas mendimit tim aty duhet të trajtohen pacientët me pasqyrë klinike më të butë. Ndërsa pacientët me pasqyrë klinike më të rëndë duhet të trajtohen në godina adekuate. Siç e patë një gabim i vogël është fatal dhe ja çka ndodhi, ndodhi ajo që nuk e kemi pritur”, vlerëson Tateshi.
Në gjithë vendin gjithsej janë 19 Qendra modulare, kryesisht në qytet me të mëdha. U vendosën si objekte ndihmëse në momentin kur do të kishte fluks të lartë të pacientëve të infektuar me virusin korona.
