Të punësuarit në Bibliotekën kombëtarë të universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” po përkujdesen që gjithçka të jetë në rregull, për vizitën e paralajmëruar të Ministres së Kulturës Irena Stefoska.
Me të ardhur Ministrja menjëherë iu drejtua gazetarëve, ku fillimisht foli për rëndësinë e Bibliotekës Kombëtare.
“Ndodhemi përpara thesarit të të kaluarës dhe të ardhmes maqedonase. Biblioteka kombëtare universitare bart emër shumë të madh, të cilit duhet t’i qëndrojmë të denjë dhe falënderues”, tha Irena Stefoska – ministre e Kulturës.
Stefoska më pas paralajmëroi se Ministria e Kulturës po planifikon që ta revitalizojë bibliotekën, me sanimin e kulmit të kësaj godine e cila është themeluar në vitin 1972. Duke kritikuar paraardhësit e saj dhe pa precizuar sa mjete, ministrja dha fjalën që bibliotekën do ta “ngritë në këmbë”.
“Ne i projektojmë mjetet në programin e bibliotekës për në fillimin e vitit të ardhshëm, pra me buxhetin e ri. Ky buxhet tashmë është harxhuar, nuk guxojmë të marrim më, janë edhe zgjedhjet dhe kështu me radhë, por është me rëndësi ta dimë çka si dhe sa, patjetër të kemi pasqyrë të qartë. Domethënë projektin e kanë kontrolluar, projekti është në rregull, pra mund të hyj menjëherë në program dhe për buxhetin, që të mund sa më shpejtë të nisë revitalizimi, këtu flas për sanimin e kulmit”, shtoi ministrja e Kulturës, Irena Stefoska.
Nga leximorja me kushtet më të mjerueshme për të cilën janë ankuar shumë studentët dhe e cila pikon kur ka reshje shiu, drejtoresha e re Jelisaveta Kostadinova premtoi se pas zgjedhjeve do të fillojë rinovimi, me çka do të ndërrohet dyshemeja dhe inventari.
“Domethënë nga 1 nëntori ne do të nisim me riparimin dhe inventarë të ri. Sa mjete janë ndarë? Rreth 1 milion e 500 mijë”, potencoi Jelisaveta Kostadinova.
Me kushte më të mira nuk janë as leximoret dhe hapësirat e tjera të Bibliotekës kombëtare. Kundërmojnë nga lagështia. Ministrja e Kulturës Irena Stefoska u bëri thirrje qytetarëve dhe kompanive që të ndihmojnë për sanimin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit”, e cila është lënë pas dore me dekada dhe po shembet përpara syve të studentëve.
