Ministri i brendshëm serb Nebojsha Stefanoviq ka deklaruar sot se ata që nuk e pranojnë nismën e Aleksandar Vuçiqit për ditë të përbashkët të kujtimit të viktimave në konfliktet e ish-Jugosllavisë tregojnë se nuk e dallojnë rastin për pajtim.
“Nisma e kryeministrit tregoi dorën e sinqertë që dëshiron të vendosë paqe të përhershme, respekt dhe stabilitet në rajon dhe vetëm ata që një gjë të tillë nuk e dallojnë dhe i shikojnë interesat e veta të imta mund të mos e pranojë”, ka thënë ministri i policisë në Vërnjaçka Banja.
Duke komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit dhe shef të diplomacisë së Kosovës Hashim Thaçit se nisma e Vuçiqit është e papranueshme, Stefanoviq ka thënë se Thaçi harron se nuk është më kryeministër i Kosovës.
Ai ka shprehur “keqardhje” që disa udhëheqës shtetërorë “nuk janë në nivelin që nevojitet për të udhëhequr vendet”.
“Që dikush të udhëheqë një shtet serioz, qoftë kjo edhe krahina jonë Kosova, duhet patjetër ta kuptojë çastin historik dhe duhet të kuptojë se porosia e kryeministrit ishte porosia më e mirë në ndërtimin e ardhmërisë”, u ka thënë Stefanoviqi gazetarëve në Vërnjaçka Banja.
Përndryshe, përveç zëvendëskryeministrit të Kosovës, nismën e kryeministrit serb e hodhi poshtë edhe kryeministri kroat Zoran Milanoviq.
