Partia në Qeveri VLEN në njërën anë, e opozitarja BDI në anën tjetër.
Kështu të ndarë e shënuan përvjetorin e 25-të të Marrëveshjes së Ohrit dy kampet politike shqiptare.
Nën moton “25 vjet dhe përtej”, qeveritarët, ku të pranishëm ishin zyrtarë si nga radhët e VLEN-it, po ashtu edhe nga VMRO-DPMNE, manifestimin qendror e mbajtën pranë Urës së Gurit në Shkup.
Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali e quajti Marrëveshjen e Ohrit dëshmi se edhe në momentet më të vështira, shoqëritë e pjekura demokratike mund të zgjedhin rrugën e mirëkuptimit mbi atë të ndarjes.
“Sot 25 vjet pas 13 gushtit 2001, sfida jonë nuk është më siguria dhe paqja e shtetit, por është integrimi evropian, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenie e qytetarëve tanë. Ne sot nuk përballemi më me pyetjen nëse mund të jetojmë së bashku, por si mund ta ndërtojmë së bashku një shtet më të zhvilluar, më të drejtë dhe më evropian”, tha Bekim Sali.
“Evropa nuk është vetëm një vend drejt të cilit po udhëtojmë Evropa është një mënyrë jetese në të cilën respektohen qytetarët, në të cilën mbrohet drejtësia, në të cilën dinjiteti nuk varet nga emri që mban, gjuha që flisni apo vendi ku keni lindur. (ngjitje 45,44) Shtetet nuk dështojnë sepse njerëzit flasin gjuhë të ndryshme, shtetet dështojnë kur njerëzit pushojnë së pushuari te njëri-tjetri”, tha Agon Ferati.
Bashkimi Demokratik për Integrim, pasi shfaqi një dokumentar gjysmë orësh për Marrëveshjen e Ohrit, mbajti një panel diskutimi në të cilin folën diplomatë, ish-ministri i mbrojtjes Buçkovski dhe kreu i partisë Ali Ahmeti, i cili tha se nëse gërvishtet Marrëveshja e Ohrit, nuk i shërbehet së ardhmes, por do të ishte kthim në të kaluarën.
“Unë e dua Maqedoninë z.Buçkovski sa e doni ju! Ky është vendi im, këtu i kam gjysh, stërgjysh, katragjysh e varre! Sa e do Branko Cërvenkovski, sa e do Kristijan Mickoski! Prandaj larg duart nga marrëveshja e Ohrit”, tha Ali Ahmeti
“Në mars unë nuk isha Ministër i mbrojtjes, Ilinka Mitreva nuk është ministre e jashtme, Ilia Filipovski nuk është zëvendëskryeministër! Ajo ishte Qeveri e vendosur, sipas bindjes sime së thellë, që të shkonte në variantin e ndarjes së Maqedonisë. Tani paturpësisht flasin disa aktorë që sipas meje pa dëshirë e nënshkruan Marrëveshjes Kornizë të Ohrit për shkak të presionit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare. Maqedonia u shpëtua kur maksimalisht u angazhua bashkësia ndërkombëtare”, deklaroi Vllado Buçkovski.
“Po, unë e kam pasur projektin e ndarjes z.Buçkovski! dhe e kam pasur prej autoriteteve të larta! Dhe unë nuk e kam pranuar! Sepse shqiptarët e Shkupit nuk do të ishin me mua bashkë. Unë do të isha Shqipëri, por Shkup, Kumanovë, Strugë, Kërçovë, Prilep, Veles, të gjithë do të ishin jashtë kufijve të Shqipërisë”, tha Ali Ahmeti.
