Status-quo për ndryshimet kushtetuese  – “VLEN do të fajësohet se i bllokon eurointegrimet”

TË FUNDIT

Bullgaria në vjeshtë do të organizojë zgjedhjet e shtata të parakohshme radhazi, ndërsa autoritetet në Maqedoni presin një qeveri të qëndrueshme politike, me të cilën do të bisedonin për aplikimin me prapaveprim të vendosjes së bullgarëve në Kushtetutë. Sipas analistit politik Bllagojçe Atanasovski, asnjë nga partitë bullgare që do të mund të formonin qeveri nuk do të devijojnë as një milimetër nga propozimi francez dhe Shkupi nuk mund të shpresojë se, siç thotë ai, do të vijë një forcë e re politike me narrativ tjetër marsian për Maqedoninë.

“Duhet të jemi politikisht naivë ose dikush me vetëdije po manipulon politikisht se në Bullgari do të vijnë forca të reja politike, të cilat do të ndryshojnë plotësisht diskursin dhe narrativin e tyre ndaj Maqedonisë, për 180 gradë, dhe se ata politikanë të zgjuar do të lëshojnë pe, thënë kushtimisht, para kërkesave të tyre dhe se do të kemi vendosje të prolonguar të bullgarëve në Kushtetutë. Thjesht, nëse jetojmë në atë iluzion, do të humbim  vite të tëra dhe do të vazhdojmë të jemi të bllokuar në rrugën e integrimit europian”, tha analisti Bllagojçe Atanasovski.

I pyetur për afatin e caktuar nga koalicioni VLEN për zhbllokimin e procesit të integrimeve europiane, Atanasovski u përgjigj se nëse status quo-ja aktuale vazhdon, VLEN mund të akuzohet se është pengesë. Sipas tij, në një situatë të tillë VLEN do të thyente premtimet e tyre parazgjedhore sepse elektorati shqiptar në vend është i bashkuar rreth rrugës drejt BE-së.

“Madje, ata thanë se për të bërë koalicion me ta, fillimisht duhej të miratoheshin ndryshimet kushtetuese, por kjo nuk ndodhi dhe shohim se  po japin periudhë grejs  prej gjashtë muajve me çka thonë se do të jenë garantues për integrimin europian. Nëse VLEN vazhdon, për shembull, të marrë pjesë në qeveri, mund të akuzohet se thjesht po pengon progresin e integrimit europian të Maqedonisë”, tha Atanasovski.

Së fundmi, kryeministri Hristijan Mickoski tha se ideja për futjen e bullgarëve në Kushtetutë është duke u diskutuar me partnerët ndërkombëtarë, por kjo do të fillojë të zbatohet me hyrjen e Maqedonisë në BE. Nga Uashingtoni, përmes zyrtarit të lartë Xhejms O’Brajan, ka mbërritur mesazhi se SHBA-të do të jenë aktive në bisedimet mes Shkupit dhe Sofjes, pasi Bullgaria të formojë një qeveri të qëndrueshme politike.