Stano: Brukseli i shqetësuar për zhvendosjen e ambasadës serbe në Jerusalem

TË FUNDIT

Dispozita e Marrëveshjes së Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa i përket zhvendosjes së ambasadës së Serbisë në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem nuk është në pajtim me politikën e jashtme të BE-së informon korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Në përgjigjen për MIA-n, zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme, Peter Stano sqaroi se politika e BE-së për çështjen izraelite-palestineze është e qartë dhe në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurisë Së Kombeve të Bashkuara, më saktë rezoluta 478 e cila iu bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të KB-së që t’i vendosin ambasadat e tyre në Tel Aviv.

Jerusalemi është objekt i negociatave ndërmjet Izraelit dhe Palestinës sepse të dyja palët e konsiderojnë qytetin si kryeqytet të tyre. Hapja e ambasadës në Jerusalem si përfaqësi diplomatike në Izrael për BE-në paraqet prejudikim të zgjidhjes përfundimtare të kontestit izraelit-palestinez dhe nuk është e pranueshme. BE mbetet në qëndrimin se Izraeli dhe Palestina duhet të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për dy shtete sipas të drejtës ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia si vende kandidate për anëtarësim në BE duhet ta harmonizojnë politikën e saj të jashtme me atë të Unionit, përkujtojnë në Bruksel.

Stano, gjithashtu, e përkujton Prishtinën dhe Beogradin se integrimi në BE është prioriteti i tyre i deklaruar strategjik dhe pret nga të dyja vendet që të sillen sipas këtyre angazhimeve.

“Serbia tashmë po negocion anëtarësimin në BE dhe pritet nga ajo që gradualisht t’i harmonizojë politikat e saj drejtë vendeve të treta me pozicionet dhe politikat e BE-së, diçka që rregullisht e theksojmë në dialogun tonë me Serbinë. Në këtë kontekst, secili hap diplomatik i cili mund ta sillte në pikëpyetje pozicionin e përbashkët të BE-së për Jerusalemin është çështje e cila na shqetëson seriozisht dhe për të cilën na vjen keq”, deklaroi Stano për MIA-n.

Presidenti Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri Avdullah Hoti sot do të takohen përsëri, këtë herë në Bruksel, për raundin e ri të bisedimeve të nivelit më të lartë nën kryesimin e BE-së në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. fc