Stadiumi në Zajaz vetëm premtim, kompania pret sinjal nga ARS për fillimin e punimeve

TË FUNDIT

Rindërtimi i stadiumit të Zajazit i cili është shndërruar në deponi mbeturinash ka mbetur vetëm premtim.

Vitin e kaluar TV21 disa herë ngriti alarmin për këtë stadium, pas çka Agjencia për Rini dhe Sport doli në terren për të evidentuar vlerën për rindërtimin e tij.
Në shtator të vitit të kaluar ish-zv/drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport Avni Rustemi nëpërmjet një statusi në facebook lajmëroi se janë ndarë mjetet që kapin vlerën e 130 mijë eurove dhe premtoi fillimin e punimeve shumë shpejtë. Një muaj më vonë u shpallë tenderi, u caktua kompania dhe duhej të fillonin punimet. Por deri tani asgjë.
Në Emisionin Pastel në TV21 pyetëm edhe zv/drejtorin e ri të Agjencisë për Rini dhe Sport Amir Bilalli se ku qëndron problemi.

“Stadiumi i Zajazit është i përfshirë në investimet kapitale të vitit 2022 , realisht edhe pse jam shumë herët ne detyrë çështjen e stadiumit të Zajazit e kam trajtuar në mënyrë të veçantë, aty ka pasur dhe vazhdon të ketë problem me mbikëqyrshin e stadiumit, por unë besoj se kjo shumë shpejtë do të tejkalohet dhe në vitin 2022 stadiumi Zajazit patjetër se do të fillojë”, premton Bilalli.

Kompania që e fitoi tenderin për rindërtimin e stadiumit është EUROINVEST MEDIU, e cila është dashur që me fillimin e punimeve të fillojnë më 11 janar të këtij viti në bazë të kontratës.
TV21 kontaktoi kompaninë në fjalë. Nga atje na thonë se janë të gatshëm dhe nuk ka asnjë problem nga ana e tyre për fillimin e punimeve, siç thonë ata çdo ditë presin sinjal nga Agjencia për Rini dhe Sport për të filluar punimet sa më parë të jetë e mundur.

“Më datë 11.01 2022 në orën 12:30 është caktuar hyrje në punë për fillimin e aktiviteteve ndërtimore, por e njëjta nuk u realizua, jo për fajin tonë. Nga dita e lidhjes së kontratës kompania jonë është e gatshme të fillojë me realizimin e këtij projekti, kemi garanci të mbyllur bankar për cilësi të tenderit dhe nuk është në interesin tonë të zgjaten punët. Deri më sot, nuk kemi marrë asnjë njoftim nga Agjencia për Rini dhe Sport dhe nuk e dimë nëse do të fillojë fare realizimi i këtij projekt”, thanë nga Euroinvest Mediu.

Ky stadium dikur ka qenë funksional, ku ekipi i Zajazit zhvillonte aktivitete, por sot as nuk mund të kalosh rrugën për të arritur deri te stadiumi, sepse e gjitha është e mbushur me mbeturina.

error: Content is protected !!