Spitali i Strugës i “ngufatur” me borxhe, drejtori lavdërohet se punët po shkojnë mirë

TË FUNDIT

Spitali i Strugës është në borxh rreth 3 milionë euro, megjithatë drejtori i spitalit lëvdohet se këtë periudhë krizë janë duke e tejkaluar për mrekulli pa asnjë problem. Armend Arsllani madje thotë se kanë edhe rritje të numrit të pacientëve dhe se këtë vit kanë kryer mbi 900 operacione. Shprehet se edhe përskaj krizës ata kanë arritur të zvogëlojnë borxhin e spitalit.

 “Kemi funksion të qëndrueshëm dhe të pandërprerë në institucionin tonë, ky institucion jep shërbime shëndetësore për një rajon më të gjerë, pra kemi mbi 100 mijë pacientë të cilët drejtohen në këtë institucion dhe në vazhdimësi muajt e fundit përveç kursimit ne jemi të suksesshëm, jemi duke zvogëluar edhe borxhet tona dhe kemi punë funksionale të pa ndërpresë”, tha Armend Arsllani, drejtor i spitalit të Strugës.

Arsllani thotë se mjaftueshëm po e kursejnë edhe energjinë elektrike.

 “Kemi formuar grup pune dhe kështu në bazë të analizave në aspektin e kursimit, krahasuar muajt e periudhës së kaluar mund të them se jemi të suksesshëm dhe se kemi arritur kursim deri në 20% kW  të harxhuara, ndërsa për muajin shtator kemi kursyer edhe 26,27%”, deklaroi Armend Arsllani, drejtor i spitalit të Strugës.

Kujtojmë se spitali i Strugës përballet me mungesë të kuadrit mjekësor, sidomos në repartin e pediatrisë ku gjithë repartin e mbajnë vetëm 5 mjek, ndërsa në spitalin e Ohrit ky repart u mbyll një vit më parë dhe funksionon vetëm si ambulancë për shërbime ditore.