Edhe në Dibër situata me kovid nuk është e mirë. Spitali e këtij qyteti është i stërmbushur. Infektologu Sefedin Duka thotë se në ditë janë duke u trajtuar rreth 30 pacientë dhe se gjendja e pacientëve që janë të shtruar në spital është e vështirë. Në qendrën Covid të Dibrës punojnë vetëm 4 mjekë edhe atë pa pushim.
“Kapacitet e spitalit kohëve të fundit janë të shfrytëzuar maksimalisht dhe kemi problem të sigurojmë vende të lira, pasi që kemi rishtas pacientë të rinj në gjendje të rëndë klinike me hipo saturim. Ka raste kur saturimin e kanë edhe nën pesëdhjetë 47 dh. Në pamundësi për t’i transportuar rastet, i trajtojmë këtu. Aktualisht jemi të stërlodhur nga angazhimi në spital. Unë për vete jam edhe përgjegjës dhe jam duke punuar me kolegë të rinj që kanë diplomuar rishtas, por kanë krijuar një përvojë të mirë me të sëmurit me covid”, deklaron Duka.
Gjatë ditës së sotme në spitalin e Dibrës kishte vetëm një vend të lirë, ndërsa 26 shtretërit tjerë ishin të zënë.
“Në qendrën kovid kemi 16 shtretër dhe kemi vendosur plus katër krevate në qendrën e ambulancës dhe në pamundësi për ti absorbuar të gjithë, e hapëm edhe pjesën tjetër të spitalit atë të kirurgjisë dhe të sëmundjeve interne, që janë plotësisht të mbushur, por ditën e sotme disponojmë me një krevat që eventualisht mund të na mbushet”, shtoi ai.
Në spital druajnë nga donjë vale dhe më të madhe me të infektuar, me cka spitali do të kishte nevojë për ekip shtesë mjekësor. Tani për tani në këtë spital nuk mungon oksigjeni.
Në Tetovë gjendja vazhdon të jetë e rëndë. Gjatë ditës së sotme numri i viktimave ka shkuar në pesë, ndërsa 124 pacientë janë të shtruar në spital.
