Pas grevës katër ditore, specializantët privatë kanë vendosur që të hënën të protestojnë përpara Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo për shkak se siç thonë Ministri Ilir Demiri nuk po i dëgjon kërkesat e tyre.
“Marrë parasysh se Ministria e Shëndetësisë dhe ministri nuk po i dëgjojnë kërkesat e tona, ata janë deklaruar vetëm për kërkesën e tretë në seancë qeveritare, ajo është rregullimi i statusit tonë. Ne jemi të vetëdijshëm dhe e dimë se është një proces i gjatë dhe statusi ynë nuk do të rregullohet aq lehtë dhe shpejtë. Kështu që kërkojmë të përmbushen dy kërkesat e tona të para që janë rritja e kontributeve dhe rregullimi i sigurimit shëndetësor. Të hënën në 5 minuta në 12 përpara Ministrisë së Shëndetësisë, do të mblidhemi përsëri në protestë dhe motoja e protestës do të jetë 5 në 12 për shëndetësinë maqedonase”, tha Dr. Hristina Ilioska Ceslaroska – specialiste interne.
Dr. Hristina Ilioska Ceslaroska, specialiste interne në vitin e tretë, tha se dëshiron t’i inkurajojë të gjithë kolegët specialistë privatë, që të mos i nënshtrohen presioneve të klinikave dhe të insistojnë në këtë luftë të tyre.
“Duam publikisht t’i dënojmë presionet që i kanë kolegët nga klinikat, nga kolegët më të vjetër specialistë dhe duam t’i inkurajojmë të gjithë kolegët specializantë privatë mos të nënshtrohen në presionet e klinikave dhe të vazhdojnë këtë betejë”, theksoi Dr. Hristina Ilioska Ceslaroska – specialiste interne.
Sot është dita e katër që kur rreth 400 specializantë privatë janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë. Ata janë të revoltuar për shkak se nuk kanë sigurim pensional dhe shëndetësor dhe kërkojnë rritje të kompensimit mujor, i cili tani arrin në 26.000 denarë, i njëjti të jetë në nivelin e pagës mesatare të mjekut në institucionet publike shëndetësor, si dhe zgjidhjen e statusit të tyre si persona të papunë.
