Spasovski: Lënda për laboratorët është në Prokurori! Prokuroria thotë se lënda tashmë është hedhur poshtë

TË FUNDIT

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski konfirmon pohimet e ish-deputetes së LSDM-së, Frosina Remenski, se tre laboratorë të blerë për Fakultetin e Sigurisë kanë kaluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por për këto veprime që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, Spasovski thotë se udhëhiqet lëndë në Prokurori.

 “Ato laboratorë janë dorëzuar në sektorin e krim-teknikës në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe mbi këtë bazë udhëhiqen edhe procedurat që janë para Prokurorisë Themelore për ndjekje të krimit të Organizuar”, deklaroi Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Po me sa duket askush nuk do të mbajë përgjegjësi për këtë gjë. Kjo sepse për TV21 nga prokuroria konfirmojnë se lënda është hedhur poshtë.

 “Padia penale për të cilën treguat interes, e që ka të bëjë me furnizimin dhe pajisjen me laboratorë të Fakultetit të Sigurisë me Vendim është hedhur poshtë nga ana e Prokurorisë Publike për përndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thonë nga Prokuroria.

Ditë më parë në ClickPlus, ish-deputetja socialdemokrate Frosina Remenska hodhi dyshime se ka marrëveshje politike për heshtje të kësaj lënde.

 “Këtë e argumentoj me faktin që njerëzit të cilët janë prekur me këtë padi penale kanë qenë në poste shumë të larta në hierarkinë e Qeverisë së kaluar.  Ndonjë prej tyre gëzon ndonjë simpati të disa forcave të pavarura reformatore në kuadër të VMRO-DPMNE-së, e mbështeten nga partia ime Socialdemokrate, jo drejtpërdrejt, por në mënyrë indirekte, mendoj se po. Mendoj se për këtë ka ndonjë marrëveshje të heshtur për mos prekje të kësaj sepse njerëz mund të pësojnë”, potencoi Frosina Remenski.

Remenski ka ngritur padi kundër prokurores Gordana Smaqoska e cila ka pasur në dorë këtë lëndë. Dje kryeprokurorja për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit Villma Ruskoska i tha TV21 se konsideron që absolutisht vendimi është i drejtë.