Bashkimi Evropian sot do të diskutojë për mundësinë e vendosjes së certifikatës për vaksinim me qëllim që të lehtësohet udhëtimi në kuadër të Unionit. Përveç Greqisë, edhe Spanja dhe Portugalia kërkojnë certifikatë të këtillë, përderisa vende të tjera shprehën shqetësim.
Spanja kërkon nga Bashkimi Evropian dhe Organizata për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik të bëjnë certifikatë për vaksinim që do ta lehtësojë udhëtimin, deklaroi sot ministrja e Punëve të Jashtme, Arança Gonzales.
“Certifikata për vaksinim është diçka drejt të cilës sigurisht po lëvizim. Ajo do të jetë element i rëndësishëm që do të garantojë kthim të sigurt në normalitet dhe lëvizje”, deklaroi Gonzales për radio stacionin RNE.
“Dhënia e një dokumenti të tillë duhet të koordinohet në nivel evropian apo global, por ajo do t’u mundësojë njerëzve të udhëtojnë, siç tani mund ta bëjnë me teste negative për PCR”, shtoi ajo.
“Certifikata për vaksinim, për çka po diskutohet në BE, duhet të veprojë si dëshmi për sigurinë dhe të heqë disa kërkesa të caktuara në kufijtë e brendshëm të BE-së”, tha ministri i Punëve të Brendshme të Portugalisë, Eduardo Kabrita.
Në takimin me eurokomisaren për punë të brendshme, Ilva Johanson, Kabrita e vlerësoi si “sfidë të re” lidhjen me lëvizjen e lirë në kuadër të Zonës së Shengenit të këtij lloji të certifikatave, “që duhet të veprojë si dëshmi për sigurinë dhe të mënjanojë kërkesa të caktuara të kufijve – posaçërisht kushti për teste PCR.
Ai tha se kufizimi për lëvizje në kuadër të Zonës së Shengenit “duhet të kufizohen në situata mjaft specifike dhe me marrëveshje të përbashkët mes vendeve”, duke e cekur si shembull mbylljen dhe hapjen e sërishme të kufirit tokësor mes Portugalisë dhe Spanjës mes marsit dhe qershorit.
Propozimin për konfirmim të vaksinimit kohë më parë e parashtroi kryeministri grek, Kiriakos Micotakis që të lehtësohet udhëtimi në BE.
Kjo çështje do të diskutohet në telekonferencën e liderëve të BE-së sot më vonë, por disa vende tashmë shprehën shqetësim nga hapi i tillë.
Kohë më parë OBSH rekomandoi të mos vendoset certifikatë për vaksinim përderisa vaksina të mos jetë njejtë e kapshme për të gjithë, duke vlerësuar se një dokument i tillë mund të kontribuojë për diskriminim.
