Sot takim liderësh në Klubin e deputetëve! Ahmeti, Kasami e Dimitreivski në tryezë, Filipçe mungon

TË FUNDIT

Me iniciativë të kryeministrit dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot në Klubin e deputetëve pritet të mbahet takimi i liderëve të partive parlamentare që kanë grupe parlamentar në Kuvend, në të cilin, siç është paralajmëruar, do të diskutohet për ligjet reformuese në fushën e drejtësisë, për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, për Kodin Zgjedhor dhe për shfuqizimin e qeverisë teknike, por edhe për çështje të tjera me propozim të pjesëmarrësve në takim.

Nga grupet parlamentare opozitare, konfirmim për pjesëmarrje kanë dhënë liderët e Levicës dhe të BDI-së, Dimitar Apasiev dhe Ali Ahmeti, ndërsa kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e refuzoi ftesën e Mickoskit.

Nga partnerët koalicionues në Qeveri, në takim pritet të marrë pjesë kryetari i ZNAM-it dhe kryetar i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ndërsa nga koalicioni VLEN pritet kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

BDI vendimin për pjesëmarrjen e Ahmetit e mori mbrëmë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë në Reçicë të Vogël. Zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, deklaroi se vendimi është marrë njëzëri nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, por nuk precizoi se cilat do të jenë kërkesat e BDI-së në takimin e liderëve të partive parlamentare, duke theksuar se “kjo është e drejtë ekskluzive e Ahmetit”.

Kryetari i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, në një konferencë për shtyp më 8 janar, e refuzoi ftesën për takim liderësh për shfuqizimin e qeverisë teknike, duke akuzuar se Mickoski “po kërkon alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”.