Sot rikthehet tarifa e lirë ditore e rrymës elektrike për amvisëritë

TË FUNDIT

Amvisëritë duke filluar prej sot në periudhën prej orës 13 deri në orën 15 përsëri do të kenë tarifë të lirë ditore të rrymës elektrike, me çka gjithsej 11 orë do të kenë në dispozicion energji të lirë elektrike gjatë 24 orëve nga e hëna deri të shtunën dhe 24 orë të dielën.

Komisioni Rregullator për Energjinë, Shërbimet e Ujit dhe Shërbimet e Menaxhimit të Mbetjeve Komunale (KRRE) në dhjetor të vitit 2021 hoqi tarifën e lirë ditore për amvisëritë për shkak të çmimit të energjisë elektrike në bursa, e cila varionte nga 300 deri në 400 euro për megavat orë dhe gjatë ditës kur arrinte deri në 500 e 600 euro e edhe më shumë. Tani, siç thotë kryetari i KRRE Marko Bislimoski, tarifa e lirë ditore nuk kthehet për shkak të politikës, por për faktin se çmimi i energjisë elektrike në treg gjatë ditës, veçanërisht në periudhën nga marsi deri në nëntor, është dy deri tre herë më i ulët se gjatë natës.

“Prej sot fillon tarifa e lirë ditore për amvisëritë. Do të vlejë prej orës 13 deri në orën 15. Ky vendim është mekanizëm tregu sepse gjatë ditës çmimi i rrymës në bursa është deri tre herë më i lirë se sa natën dhe është rezultat praktik i fotovoltaikëve”, deklaroi Bislimovski për MIA-n.

Kur keni prodhimtari të rritur gjatë ditës, shtoi, është logjike që çmimi i rrymës të ulet në atë periudhë.

“Në të njëjtën kohë është sinjal tregu për amvisëritë, për EVN dhe për EMV – blini në bursë kur është më e lirë se që qytetarët të kenë tarifë të lirë ditore”, tha Bislimoski. 

Sipas tij, sot të gjithë konsumatorët që kanë orëmatës që mund të lexohen nga distanca, do të kenë tarifë të lirë ditore dhe deri në fund të muajit rreth 90 për qind e amvisërive. Problem do të jenë amvisëritë që nuk kanë orëmatës.