Për gjashtë ditë me radhë, teatërdashësit kanë mundur të ndjekin shfaqje nga vende të ndryshme në kuadër të Festivalit Internacional të Teatrit “Skupi Festival” i cili mbahet në Shkup.
Sot është dita e gjashtë, dhe pas shfaqjes përmbyllëse të Teatrit të Metropolit në Tiranë, “Gjysmë-jeta e Marie Curie”, do të ndahen edhe çmimet e festivalit.
Shfaqja do të paraqitet me fillim prej orës 20, në Teatrin Shqiptar të Shkupit.
Drejtori i ITF “Skupi Festival”, Muzbajdin Qamili ishte dje në emisionin e pasdites në TV21, “Pastel” dhe njoftoi se çmimet do të ndahen nga juria profesioniste në përbërje prej aktores Zamira Kita, aktori Ardian Aziri dhe gazetarja e kulturës në Maqedoni, Srebra Gjorgjijevska.
Vitin e ardhshëm ky festival shënon përvjetorin jubilar – 20 vjetorin, ndërkaq Qamili pret një mbështetje të konsiderueshme nga Ministria e Kulturës në Maqedoninë e Veriut.
“Le ta hapë thesin”, porositi ai, ndërkaq paralajmëroi “diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë”.
“Do të ndodh një ngjarje kulturore që nuk ka ndodhur asnjëherë, do të thërrasim shumë aktorë, regjisorë që kanë qenë pjesëmarrës në 20 vitet e kaluara. Do të ketë tryeza të rrumbullakët. Biseda me studentë dhe profesorë nga vende të ndryshme. Prej të hënës do të nisim përgatitjet për vitin e ardhshëm”, tha Qamili./TV21