Sindikatat insistojnë që paga minimale menjëherë të rritet në 18.000 denarë, duke e pasur parasysh rritjen e shpenzimeve të jetës dhe krizës energjetike. Nga ana tjetër punëdhënësit janë të mendimit se paga minimale do të duhet të arrijë mbi 16.300 denarë.
E për këtë do të diskutohet në seancën e Këshillit ekonomik të Qeverisë. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë pret rezultat pozitiv nga takimi, duke u bazuar në takimin e mëparshme që kanë pasur.
“Mendimi im është se dita e sotme do të jetë me rezultat pozitiv, duke marrë parasysh edhe takimet e mëparshme dhe deklaratat e profesorëve dhe ekonomistëve. Mendoj se punët po shkojnë në drejtim pozitiv dhe shpresojmë dhe mendojmë se do të arrijmë marrëveshje, duke marrë parasysh edhe deklaratën e kryeministrit Kovacevski se pajtohet me kërkesat tona”, tha Igor Gerasov, LSM.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski do të merr pjesë në takimin e Këshillit Ekonomik- Social, megjithatë kryeministri nuk deshi të kalkulojë më numra se për sa do të diskutohet për pagën minimale.
“Vendi ku duhet thënë kjo është Këshilli Ekonomik -Social dhe aty duhet edhe miratuar dhe pranuar nga të gjithë partnerët socialë, sepse në KES kemi përfaqësues të punëtorëve që meritojnë të vlerësohet puna e tyre, por ka edhe punëdhënës, mendimi i të cilëve duhet dëgjuar sepse paga minimale shoqërohet gjithmonë me rritjen e produktivitetit të punës”, tha Kovaçevski.
VMRO-DPMNE mbështet rritjen e minimales, por shton se duhet të respektohen edhe marrëveshjet kolektive të punëtorëve.
“Përveç se mbështesim rritjen e pagës minimale, kërkojmë edhe mbështetje për ekonominë, punëdhënësit dhe rritjen e pagave, sipas asaj që është dakorduar. Këtu parashtrohet pyetja logjike se a ka buxheti shtetëror mjete? Unë them po, ka para, por le të ulet niveli i krimit dhe vjedhjes”, deklaroi Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE.
Ndryshe, një punëtor në Maqedoninë e Veriut merr pagë minimale prej rreth 250 eurove, ndërsa më të ulët se kjo merr një punëtor në Shqipëri ku paga minimale është 236 euro. Pagë më të lartë minimale ka në Slloveni ku arrin 749 euro, pas çka vijon Kroacia me 569 euro, Mali i Zi me rreth 450 euro, Serbi 300 euro, ndërsa në Bullgari rreth 280 euro.
