Sot fillon procesi i regjistrimit elektronik për shkollat e mesme

TË FUNDIT

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se nga sot nis procesi i regjistrimit në shkollat e mesme publike për vitin shkollor 2026-2027. Edhe këtë vit, regjistrimi do të realizohet në mënyrë elektronike përmes portalit e-uslugi.mon.gov.mk, ku nxënësit mund të qasen duke përdorur llogaritë e tyre ekzistuese në sistemin schools.mk.

Afati i parë i regjistrimit në kuadër të sesionit të qershorit zhvillohet nga 12 deri më 15 qershor, ndërsa dokumentet e nevojshme do të dorëzohen në shkolla më 16 dhe 17 qershor. Më 18 qershor, shkollat do të publikojnë listat përfundimtare të nxënësve të pranuar, si dhe numrin e vendeve të mbetura të lira.

Afati i dytë i regjistrimit është caktuar për më 23 qershor, me dorëzimin e dokumentacionit më 24 qershor. Ndërkaq, afati i tretë i regjistrimit do të mbahet më 20 gusht.

Konkursi me vendet e lira dhe të gjitha informacionet për shkollat e mesme publike janë të disponueshme në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Gjithashtu, nxënësit mund të shfrytëzojnë udhëzuesin online të kualifikimeve, i cili ofron informacione të detajuara dhe i ndihmon ata të zgjedhin drejtimin arsimor dhe profesionin që dëshirojnë të ndjekin në të ardhmen.