Deri në fund të ditës në Turqi, do të dërgohen dokumentet e nevojshme për ekstradimin e Lupço Palevski-Pallço, të dyshuarit për vrasjen e 14 vjeçares Vanja dhe 74 vjeçarit Pançe. Këtë e bëri të ditur Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, i cili shtoi se do të ngritet kallëzim penal edhe për Stefan Dimkovskin, personin i cili e ka ndihmuar të dyshuarin për vrasje për të shkuar nga Beogradi në Turqi.
“Ka filluar e gjitha procedura, janë dorëzuar të gjitha materialet deri te Ministria e Drejtësisë, sipas informacioneve të mia dhe bisedës me ministrin, që dje po punohet më përkthimin e dokumenteve dhe besoj që sot dokumentacioni i plotë do të dërgohet për në Turqi”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Jashtme.
Edhe Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga konfirmoi se deri në fund të ditës do të dorëzohet kërkesa për ekstradim dhe pas kësaj do të kontaktojë direkt edhe me ministrin e Drejtësisë së Turqisë. Ai pret bashkëpunim korrekt me këtë shtet dhe vlerëson se shumë shpejt Pallço do të sillet në vendin tonë.
“Turqia është partner strategjik i Maqedonisë për shumë çështje edhe më të rëndësishme, unë besoj se relativisht për një kohë të shkurtër do të marrim përgjigje pozitive dhe i dyshuari do të jetë mes nesh. Sa është ajo kohë e shkurtër? Nuk e di sa do të shfrytëzoj mjetet juridike për t’u ankuar ose jo, prandaj nuk e di në këtë moment… dhe pa i ditur procedurat në Turqi të them se sa do të zgjas ajo”, pohoi Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë.
Paleski u arrestua në qytetin turk Balikesir dhe tani është në pritje të ekstradimit të tij. Në Serbi, i dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Zhezhovski më 1 dhjetor me avokatin e tij nga Shkupi është larguar me veturën Shkoda Super B dhe është lënë në hotel. Prej aty, të nesërmen, me personin tjetër nga Shkupi me një xhip Range Rover, përmes pikës kufitare Gradina ka hyrë në Bullgari e më pas ka kaluar në Turqi.
