Temperaturat e larta kanë mbyllur qytetarët nëpër shtëpi.
Pak persona kishin marrë guximin që të dalin në qytet.
Pak kalimtarë shihen në rrugën dhe sheshin “Maqedonia”.
E kafenetë të cilat zakonisht në këtë zonë janë përplot, nuk kishin asnjë klient.
“Aktualisht është ora 11:30 dhe temperatura në Shkup shënon 33 gradë, deri në fund të ditës temperatura do të ngjitet deri në 40 gradë celsius”, raporton gazetarja e TV21, Almedina Ismajli.
Shumë pak të moshuar takuam në Parkun “Gruaja Luftëtare”. Thuajse të gjithë kishin dalë për të kryer ndonjë punë ose obligim, duke shmangur rrezet e diellit e duke kërkuar pak hije.
Kushdo që shihte ndonjë shatërvan, menjëherë afrohej për t’u freskuar.
“Këtë vit është e padurueshme, tepër nxehtë. Të rinjtë nuk kanë kohë, nga mëngjesi deri në mbrëmje në punë, por duhet të dalim në këto temperatura. Patjetër të shkosh në mjek, të paguajmë fatura, se përndryshe këstet janë të larta, e pagat dhe pensionet janë të vogla”.
“Kemi dalë të freskohemi, kjo është nga Zoti. Lexoj ndonjë libër, ndonjëherë religjioz, pimë ndonjë lëng, ja këtu nën hije është freskët. Jemi pa maska, nuk vendosim maska, kjo është më me rëndësi”.
“M’u desh të shkoj deri në bankë, për punë, përndryshe nuk dal në këtë të nxehtë”.
“Jo kisha punë deri në Aerodrom dhe kalova që t’i takoj pak shokët edhe po iki, përndryshe në këtë të nxehtë nuk dilet”.
Meteorologët mot përvëlues parashikojnë edhe nesër, por në mbrëmje priten reshje shiu, rrufe dhe mundësi për breshër. E premtja dhe e shtuna do të jenë me temperatura pak më të ulëta, ndërkaq nga e diela rikthehen sërish vala e nxehtë.
“Temperatura edhe nesër është e lartë gjatë ditës, me interval nga 35 deri në 43 gradë celsius, përderisa të premten na pret mot i ndryshueshëm, pasdite me shira të kohëpaskohshëm lokal dhe bubullima dhe do të jetë ca më freskët me temperatura nga 28 deri në 38 gradë. Temperatura të ngjashme edhe të shtunën”.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale u bën thirrje punëdhënësve, kujdestarëve dhe edukatorëve në kopshte, punonjësve të Qendrave për Punë Sociale, Kryqit të Kuq që të ndjekin rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, të mbrojnë shëndetin dhe të parandalojnë pasojat e valëve të të nxehtit. Obligohet lirimi nga përgjegjësitë e punës i grupeve më të rrezikuara të popullsisë, siç janë gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Në kopshte të mos ketë aktivitet fizik dhe të mos i nxjerrin fëmijët jashtë në periudhën nga 11 e mëngjesit deri në orën 17.
