Sonte spektakli i madh, Anglia dhe Argjentina luftojnë për finalen e Botërorit 2026

TË FUNDIT

Dy rivalët e mëdhenj, Anglia dhe Argjentina, do të përballen sonte mbrëma në Atlanta për herë të parë që nga viti 2005, në një duel që do të përcaktojë finalistin e dytë të Kupës së Botës 2026.

Kjo përballje konsiderohet ndër më të zjarrtat në futbollin ndërkombëtar, pasi rivaliteti mes dy vendeve shkon përtej sportit, i ndikuar edhe nga tensionet historike dhe politike. Për Argjentinën, sfida paraqet mundësinë për të siguruar një tjetër finale të Botërorit, ndërsa Anglia synon rikthimin në finalen më të madhe të futbollit botëror.

Kampionia në fuqi, Argjentina, e drejtuar nga Lionel Scaloni, ka kaluar një rrugëtim jo të lehtë në turne. Edhe pse e mbylli me sukses Grupin J, skuadra amerikano-jugore u detyrua të luante vazhdimet ndaj Kepit të Gjelbër dhe Zvicrës, ndërsa në fazën e 1/8 së finales përmbysi disavantazhin prej 2-0 ndaj Egjiptit për të siguruar kualifikimin.

Në anën tjetër, Anglia e Thomas Tuchel ka shfaqur më shumë stabilitet dhe kontroll gjatë kampionatit, megjithëse pritshmëritë për “Tre Luanët” kanë qenë edhe më të larta. Skuadra angleze është vlerësuar për karakterin dhe vendosmërinë e treguar në ndeshjet vendimtare, por mbetet bindja se ende nuk ka shfaqur potencialin e saj maksimal.

Përballja në Atlanta që zhvillohet nga ora 21:00, pritet të jetë një nga ndeshjet më të forta të turneut, me të dyja kombëtaret që synojnë një vend në finalen e Kupës së Botës 2026.


Formacionet e mundshme:

Anglia (4-2-3-1): Pickford; Konsa, Stones, Guehi, O’Reilly; Anderson, Rice; Saka, Bellingham, Gordon; Kane.

Argjentina: (4-4-2): E. Martinez; Molina, Romero, L. Martinez, Tagliafico; Simeone, Mac Allister, Paredes, Fernandez; Messi, Alvarez.