Solidariteti është parimi kyç i Komisionit Europian ndaj Ballkanit Perëndimor, u shpreh zëdhënësi i KE-së Piter Stano në edicionin e fundit të “Click Plus” që u realizua në Bruksel. Këtë Stano e tha duke u përgjigjur se si BE do të jetë afër Ballkanit Perëndimor në tejkalimin e krizës aktuale?
“Kur bëhet fjalë për pasojat negative nga pushtimi rus në Ukrainë, ne qëndrojmë me partnerët tanë. Ata nuk i kanë shkaktuar këto probleme, janë të dëmtuarit, siç jemi edhe ne, por kemi përgjegjësi që të ndihmojmë, të asistojmë dhe mbështesim dhe kjo është arsyeja se pse bashkëpunojmë me partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor, që të shohim mënyrat më të mira për të ndihmuar”, deklaroi Piter Stano, zëdhënës i Komisionit Europian.
Në këtë edicion të “Click Plus” folën edhe dy deputet të Parlamentit Europian.
“Unë mendoj se projekti “Evropa e bashkuar, demokratike, e lirë” nuk ka përfunduar ende para se të marrim Ballkanin Perëndimor dhe vende të tjera që po trokasin në dyert evropiane, si Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia. Ne duhet të vazhdojmë procesin e zgjerimit”, theksoi Janush Vashçikovski, eurodeputet.
“Mendoj se kemi bërë një premtim shumë të fortë, Europa si tërësi. Kjo do të thotë se ne nuk kemi asnjë të drejtë, asnjë të drejtë morale, politike, t’i themi asnjë rajoni europian se nuk është pjesë e një Evrope të bashkuar. Pse ata rajone duan të jenë në Evropën e bashkuar? Sepse ka përfitime të mëdha për të qenë brenda, për të qenë në tryezë, për të vendosur bashkërisht, për të zbatuar dhe ndërtuar një Evropë më të fortë”, nënvizoi Petras Aushtreviçus, eurodeputet.
Gjatë këtij emisioni po ashtu u përmend rreziku nga lajmet e rrjeshme. Zëdhënësi i KE-së Stano theksoi se shumë aktorë, brenda dhe jashtë BE-së përpiqen të minojnë punën e unionit përmes lajmeve të rrejshme, ndërsa shtoi se në këtë kohë të lajmeve të rreme, mediat duhet qenë shumë herë më të vëmendshme në konfirmimin e informacioneve.
