Snopçe: Xhaferi taktizon me gjuhen shqipe! Demanton Ademi: Amendamentet mund të dorëzohen edhe në gjuhën shqipe

TË FUNDIT

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe mbrëmë në Click Plus tha se Kryeparlamentari Talat Xhaferi taktizoi me deklaratën e tij për gjuhën shqipe. Sipas tij, rasti për të cilin reagoi dje koalicioni opozitar mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, është rasti i dytë kur Kuvendi nuk e zbaton Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Duke debatuar me deputetin e BDI-së Arbër Ademi, Snopçe tregoi se rasti i parë ka ndodhur për ndryshimet ligjore të Ligjit për arsim. Përkthimin e Ligjit, siç tha e kanë marrë 9 ditë me vonesë. Kuvendi nuk ua ka pranuar amendamentet në gjuhën shqipe, ndërkaq në Komision është punuar me amendamente vetëm në gjuhën maqedonase.

“Vetëm taktizohet edhe përgjigjen që ua ka çuar kryeparlamentari, e shoh në kuadër të këtij taktikizimi. Në qoftëse institucioni më i lartë i shtetit, dhe kryeparlamentari nuk insiston në zbatimin e gjuhës shqipe, çfarë mund të presim prej sporteleve të rëndomta? Çfarë mund të presim prej realizimit të të drejtave të qytetarëve në jetën e përditshme që nuk do të mund të kenë të drejtë të zbatojnë të drejtën e tyre për përdorim të gjuhës shqipe”, tha Halil Snopçe – deputet i Aleancës për Shqiptarët.

Reagoi Ademi, tha se shërbimet e Kuvendit janë të detyruara t’i përkthejnë amendamentet, por siç tha, për rastin në fjalë, mund të ketë qenë çështje e mungesës së kohës që amendamentet nuk kanë mundur të përkthehen në gjuhën shqipe.

Arbër Ademi: “Aspak nuk bën taktikizime. Propozuesi mund t’i dorëzojë amendamentet, qoftë në gjuhën maqedonase, qoftë në gjuhën shqipe dhe shërbimet janë të detyruara t’i përkthejnë. Pse prej shqipes duhet të përkthehen edhe maqedonisht? Sepse ka deputet maqedonas që duhet të njoftohen me përmbajtjen e amendamentit. A po flasim për çështje praktike?

Halil Snopçe: “Ja që me ne nuk ndodhi, interesohu”.

Arbër Ademi: “Janë të detyruar t’i përkthejnë, ndoshta është edhe mungesë e përvojës, sepse edhe unë jam për herë të parë në Kuvend”.

Ndërkaq, deputetë opozitar kanë alarmuar se shqipja nuk zbatohet edhe gjatë transmetimit të seancave plenare dhe të Komisioneve kuvendore, pasi deputetë shqiptar derisa flasin në gjuhën amë, në ueb faqen e Kanalit të Kuvendit mund të dëgjohen vetëm në përkthim. Kryeparlamentari Talat Xhaferi duke u përgjigjur ndaj këtyre kritikave, tha se nga Kuvendi incizimi del në dy kanale, në atë orgjinal dhe atë maqedonas, por është çështje e transmetuesit publik se cilin kanal e transmeton në ueb faqe.