“Kjo hapësirë zakonisht është plot me qytetarë, por sot është bosh për shkak të grevës së rreth 500 të punësuarve në shërbimet amë në të gjithë vendin. Greva filloi në orën 8 të mëngjesit të sotëm dhe do të zgjasë derisa të plotësohen kërkesat e tyre për paga më të larta. Çka nënkupton greva? Të punësuarit janë në vendet e tyre pune, por nuk pranojnë klientë. Më saktësisht, në bazë ditore nuk do të realizohen rreth 500 kërkesa për certifikata lindjeje dhe rreth 30 terminë për lidhje martesash”, raporton Aleksandra Velinova, gazetare TV21.
Të punësuarit në shërbimet amë bëjnë përjashtim vetëm për rastet urgjente, gjegjësisht kur qytetarët e kanë patjetër të nxjerrin dokumente për operacione ose fëmijë të sëmurë.
-Nuk pranojnë, kurse fëmija nuk ka librezë, duhet ta çojmë te mjeku.
-Nuk e dinit se ka grevë?
-E dinim, por thamë ndoshta do të na kryejnë punë, ndoshta do ta ndërpresin grevën, por ja ende po vazhdojnë.
-Do të vijmë kur të fillojmë, nuk jemi prej këtu, nga Velesi jemi. A keni rast urgjent? Jo, megjithatë fëmija duhet të vaksinohet, ta çojmë te mjeku për kontroll. Nuk ka librezë shëndetësore, pa certifikatë të lindjes asnjë dokument nuk mund të marrim.
-Tashmë dy javë jam këtu, ose kanë festa ose grevë. Më duhet të marr certifikatë të lindjes për të marrë pasaportë të re.
-Nuk jetoj këtu, jam e lindur këtu megjithatë jetoj jashtë vendit.
-Kur duhet të shkoni? Diku më 22 maj më skadon pasaporta, më 20 maj më dhanë termin për shkak të grevës, do të shohim se çfarë do të bëjmë.
-Në lajmet të dëgjojmë kur do të mbarojë greva.
Nënkryetari i Sindikatës së shërbimeve amë u shpreh kategorik se greva do të zgjasë derisa plotësohen kërkesat e tyre për harmonizimin e rrogave me rrogën minimale dhe marrëveshjen kolektive. Jovanovski tha se ende ka persona të cilët për muajin e kaluar kanë marrë rrogë prej 14.800 denarëve që është nën rrogën minimale.
“Derisa gjejnë zgjidhje. Ministria e Financave nuk na thirri, të ulemi dhe të merremi vesh për të gjetur zgjidhje të përbashkët”, tha Igor Jovanovski, nënkryetar i Sindikatës së Drejtorisë së Librave Amë
-Askush nuk na kontaktoi, as Qeveria e as Ministria e financave, askush.
Jovanovski shtoi se ata që kanë caktuar lidhje të martesës, deri më 27 prill të mos shqetësohen se të njëjtat do të realizohen.
