Përfaqësues të Sindikatës së Kulturës edhe sot dolën përpara Ministrisë së Kulturës, ku theksuan se marrja e aktgjykimit të parë konfirmon se të drejtat e punonjësve të kulturës janë shkelur me vendimet e paligjshme për uljen e pagave. Prej andej pyesin kush do të mbajë përgjegjësi për dëmin që duhet ta paguajnë institucionet kulturore.
“A do të përgjigjet dikush për shpenzimet gjyqësore ndaj të cilave tani janë të ekspozuara institucionet? A do t’i mbrojnë të njëjtit zyrtarë tani drejtorët në kulturë, kundër të cilëve SKRM ka paraqitur kallëzime penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mosrespektim të ligjeve dhe marrëveshjeve kolektive? Thërrasim për arsyeshmëri dhe marrëveshje – Ministria të ulet në tavolinë, të biem dakord për zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhe në atë mënyrë të shmanget kolapsi financiar i institucioneve”, tha Vera Atanasovska – SKRM.
Nga Ministria e Kulturës thonë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar të lidhur me pohimet e paraqitura.
“Ministria nuk ka asnjë njohuri konkrete, as për cilën institucion bëhet fjalë. Njëkohësisht informojmë se Ministria e Kulturës dhe e Turizmit po e ndjek me kujdes tërë procesin dhe sapo të disponojmë me informata të verifikuara dhe relevante, do ta informojmë me kohë opinionin publik”, thonë nga Ministria e Kulturës.
Punonjësit e kulturës në prill të këtij viti protestuan para Ministrisë për shkak se për festat e Pashkëve nuk i morën pagat, si dhe për shkak të mosrespektimit të marrëveshjeve kolektive. Në atë kohë, ministri Zoran Lutkov u përgjigj se vonesa ishte për shkak të harmonizimit të pagave, por më pas pagat u paguan me ulje.