Škoda me sukses historik! Futet në top 3 markat më të shitura në Evropë për gjysmën e parë të vitit 2025

TË FUNDIT

Prodhuesi i automjeteve Škoda Auto ka regjistruar rezultate të shkëlqyera për gjysmën e parë të vitit 2025, duke u renditur për herë të parë në mesin e tre markave më të shitura në Evropë – një moment historik në 130 vitet e historisë së kompanisë.

Siç raportojnë mediat e huaja, Škoda ka shënuar përparim të konsiderueshëm dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit është pozicionuar në vendin e tretë, menjëherë pas Volkswagen dhe Toyota.

Kompania ka dorëzuar 509,400 automjete në mbarë botën, që paraqet një rritje prej 13.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat totale arritën në 15.07 miliardë euro, ndërsa fitimi operativ arriti në 1.285 miliardë euro, me një normë fitimi prej 8.5%.

CEO i kompanisë, Klaus Zellmer, deklaroi se Škoda ndodhet në një gjendje të shkëlqyer financiare, pavarësisht sfidave të mëdha me të cilat përballet industria automobilistike.

Sipas kompanisë, rritja e shitjeve është nxitur kryesisht nga interesimi i madh për modelet elektrike Enyaq dhe Elroq, për të cilat deri në muajin qershor janë regjistruar mbi 120 mijë porosi.