“S’kemi tokë shqiptare për dhëndurët e Trump-it”! Protestë ambientaliste para Ambasadës së Shqipërisë në Shkup

TË FUNDIT

“E kam vetëm një mesazh: a jemi live? Edi Rama, Edi Rama e di çfarë vjen pas kësaj fjale!”

Disa qytetarë të Shkupit mesditën e së enjtes protestuan para Ambasadës së Shqipërisë. Ambientalistët thonë se kanë dal në përkrahje të qytetarëve të Shqipërisë për shitjen e tokave të Zvërnecit në Vlorë.

“Sot jemi këtu para Ambasadës shqiptare për të dhënë përkrahjen tonë për protestat që janë duke u bërë për shitjen e tokave dhe dëmtimin e natyrës që pretendojnë ti bëhet tokës shqiptare. Sigurisht që ambienti dhe ekologjia nuk njohin kufij. Ne jemi në përkrahje të fortë të bashkë atdhetarëve tanë ambientalistë dhe të atyre që duan ta mbrojnë tokën shqiptare. Ne nuk kemi tokë për t’i shitur askujt kudo qoftë ajo”, u shpreh Ngadhnjim Mehmeti, organizator i protestës.

Disa protestues dhanë edhe mesazh politik, duke vendosur pelikan plastik dhe parullat para godinës së Ambasadës shqiptare në Shkup se nuk lejojnë tokë për t’i shitur as dhëndrit e as nuses, por që vendosin bijtë e Shqipërisë për tokën shqiptare. Ata thonë se do tu bashkëngjiten protestave edhe në Shqipëri.

“Kjo protestë e organizuar nga grupi joformal i qytetarëve e ka porosinë e vet pikësëpari ekologjike për mbrojtjen e tokës dhe natyrës dhe shpezëve në Shqipëri. Ne jemi pak njerëz këtu, por kur bëhet fjalë për Shqipërinë gjithmonë përçojmë një mesazh, i cili është përtej porosisë ekologjike, pra është mesazh politik se Shkupi është me Shqipërinë”, theksoi Ramadan Ramadani – protestues.

“Nuk jemi këtu kundër askujt, por kemi dal si qytetarë shqiptarë të Shkupit ta shprehim mbështetjen tonë për protestat masive që po mbahen tani anembanë Shqipërisë, për mbrojtjen e Shqipërisë, pra e them shkurt që të gjithë ta dinë: Shkupi është me Shqipërinë!”, potencoi Alaudin Mustafa – protestues.

Protesta tani e tri ditë po mbahen në Tiranë kundër rrethimit të një zone të mbrojtur të natyrës, në Zvërnec të Vlorës, ku planifikohet të ndërtohen resortë turistike miliarda dollarësh, duke iu referuar investitorëve të huaj strategjik Xhared Kushner dhe Ivanka Trump, të familjes së presidentit të SHBA-së Donald Trump. Për këtë çështje shteti shqiptarë thotë se ato parcela disa hektarësh janë pronë private, por që lejet e ndërtimit i jep shteti.