Danella Arsovska bashkë me Aleancën për Shqiptarët realizuan fushatën zgjedhore dhe bashkë me votat e kësaj partie u shpall kryetare e Qytetit të Shkupit. Megjithatë aktualisht ASH nuk udhëheq me asnjë drejtori të Qytetit, ndërsa BDI e cila mbështeste Shilegovin e LSDM-së, dje morri dy drejtori.
“E vërtetë, kjo i bie se ne nuk kemi asnjë drejtori dhe asnjë pozitë në Qytetin e Shkupit, përveç asaj që unë do të mbetem si këshilltare në Qytetin e Shkupit nga radhët e Aleancës për Shqiptarët”, pohoi Bujar Abazi, ASH.
E në shenjë revolte nënkryetarja e Shkupit, Bujare Abazi, kuadër i ASh-së dha dorëheqje nga posti. Abazi tha se nuk i përkrahin më politikat e Arsovskës, ndërsa sipas saj, Arsovska ka bërë shkelje skandaloze të marrëveshjes me ASh-në.
“Me vendosjen e dy drejtorëve në dy ndërmarrje publike në “Parqe dhe gjelbërime” dhe “Rrugë dhe rrugica” nga anëtarë të partisë tjetër, faktikisht të asaj që edhe sot i kemi në Qeveri të cilët kanë dëshmuar për mënyrën se si veprojnë gjithë këto 20 vite, atëherë ajo faktikisht ka dërguar një porosi që marrëveshja që kemi pasur në fillim të fushatës është shkelur”, tha Bujar Abazi, ASH.
Abazi do të mbetet vetëm si këshilltare e ASh-së në Qytetin e Shkupit. Për dorëheqjen e Abazit kanë reaguar nga Qyteti I Shkupit. Thonë se Abazi ka qenë në funksion si personalitet dhe jo si dikush që vjen nga ndonjë subjekt partiak.
“Sinqerisht na vjen keq që Abazi vendosi që partinë ta vendosë para interesit të qytetit dhe të Shkupit, por ky është vendimi i saj. Departizimi në institucione duhet të jetë postulat mbi të cilin do të ndërtohen institucionet publike profesionale, dhe kushdo që i vendos interesat partiake mbi interesat publike, është e qartë se nuk mund të funksionojë në drejtim të përfaqësimit adekuat të qytetarëve të Shkupit”, tha Bujar Abazi, ASH.
Tani për tani BDI në Qytetin e Shkupit vazhdon të jetë opozitë, edhe përkundër se morën 2 drejtori në ndërmarrjet publik. Çdo ndryshim eventual të pozitës në Këshillin e Shkupit do të bëhet me urdhër të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi për TV21, Besnik Ajeti, këshilltarë i BDI-së në Qytetin e Shkupit. Megjithatë, Ajeti ishte shumë i rezervuar në përgjigjet, nëse pajtohen me emërimin e dy drejtorëve të rinj të afërt me “grupin e zjarrit”.
“Emërimi i dy drejtorëve është e drejtë e kryetares që të emëron ushtrues detyre në ato institucione dhe ndërmarrje që i duhen kryetares”, tha Besnik Ajeti, këshilltarë në Qytetin e Shkupit.
-Pse pikërisht këto dy emra?
“Këtë pyetje duhet t’ia parashtroni kryetares!”
-Kur do të ketë zhvillime sa i përket pjesës se a do të kaloni të jeni pjesë e pushtetit apo e opozitës?
“Ne kemi organet e partisë, kemi instruksionet të partisë të cilët vijnë drejtpërdrejtë prej kryetarit Ahmeti, çdo ndryshim eventual e marrim nëpërmjet organeve partiake”, tha Ajeti.
-A jeni ju të kënaqur me këto dy emra që janë emëruar si drejtorë?
“Nuk është pjesë e jona!”, tha Besnik Ajeti, këshilltarë në Qytetin e Shkupit.
Dje Qyteti i Shkupit plotësoi vendet e 5 drejtorëve të VMRO-DPMNE-së që dhanë dorëheqje për shkak të pakënaqësisë me Arsovskën. Në mesin e 5 drejtorëve të rinj, janë dy që vijnë nga radhët e BDI-së.
