Veterani i luftës, një ish-marins në Afganistan, ishte mësuar të vëzhgonte gjithçka përreth tij për të qëndruar gjallë. Kështu që ai e vëzhgoi me vëmendje muajin e kaluar ndërsa një gjinekolog i ushtrisë ekzaminonte gruan e tij shtatzënë, një oficere të ushtrisë, në Fort Hood të Teksasit.
Kur mjeku u përkul për të ripozicionuar makinën me ultratinguj, diçka i tërhoqi vëmendjen veteranit: celulari i mjekut tani ishte në xhepin e këmishës, me lentet e kamerës të kthyera nga jashtë. Nuk kishte qenë aty më parë. Kur veterani shikoi ekranin, pa se celulari po regjistronte…
Kur ekzaminimi përfundoi, veterani gjeti dy anëtare të stafit mjekësor femra dhe u tregoi atyre se çfarë kishte ndodhur, sipas një burimi të njohur me hetimin. Reagimet e tyre e frustruan aq shumë sa ai “shpërtheu” aty në mes të korridorit. “Sapo kapa një mjek duke filmuar vaginën e gruas sime!” bërtiti ai, sipas të njëjtit burim.
Ky “shpërthim” shkaktoi një zinxhir ngjarjesh, akuzash dhe zbulimesh që kanë nxjerrë në dritë atë që mund të jetë një nga rastet më të mëdha të abuzimit seksual të dyshuar në historinë e ushtrisë amerikane.
Dr. Blaine McGraw dhe akuzat
Muajin e kaluar, zyrtarët e Ushtrisë në Teksas larguan Dr. Blaine McGraw, një major i Ushtrisë dhe gjinekolog në Fort Hood, i cili tani akuzohet për sulm të përsëritur ndaj një pacienteje femër dhe regjistrim të fshehtë të momenteve të saj private gjatë një ekzaminimi të kohëve të fundit gjinekologjik dhe mamologjik.
Paditësja, e njohur me nofkën e zakonshme “Jane Doe” që përdoret kur informacioni i një dëshmitari nuk bëhet publik, e kishte vizituar McGraw disa ditë përpara se veterani të shoqëronte gruan e tij në spitalin Fort Hood.
Hetuesit e ushtrisë gjetën mijëra foto dhe video nga telefoni celular i McGraw që “u morën gjatë disa viteve dhe përshkruajnë dhjetëra paciente femra, shumë prej të cilave mbeten anonime”, sipas padisë. Deri më tani, të paktën 65 gra kanë pohuar se janë abuzuar seksualisht nga McGraw. Megjithatë, CNN raporton se ky numër pritet të rritet.
3,000 letra për pacientët e McGraw – Skandali më i Madh Seksual
Ushtria u dërgoi letra rreth 3,000 pacientëve me të cilët McGraw ra në kontakt në Qendrën Mjekësore të Ushtrisë Fort Hood dhe Tripler në Hawaii, ku ai punoi vite më parë, sipas burimeve. CNN foli me të paktën një viktimë të supozuar, e cila tha se nuk kishte kontaktuar ende zyrtarët e Ushtrisë.
“Shkalla e mundshme e këtij dëmi është, sipas mendimit tim, e pashembullt në historinë e ushtrisë”, tha Andrew Kombos, një avokat që përfaqëson disa nga akuzuesit e McGraw. “Ajo përfshin dy baza të mëdha ushtarake, dy zinxhirë të ndryshëm komande, mijëra bashkëshorte ushtarake dhe ushtarë që u vendosën nën kujdesin e tij”.
“Grabitqari me uniformë” dhe ankesat që nuk u gjetën…
Anëtarët e ushtrisë kanë shprehur shqetësimin se raportimi i abuzimit seksual dhe sjelljes së keqe do të bëhet më i vështirë pas deklaratave të fundit nga Sekretari i Luftës Pete Hegseth, i cili premtoi t’i jepte fund mundësisë për të paraqitur ankesa anonime dhe “të dobëta”.
Padia kundër McGraw, e ngritur më 10 nëntor, pretendon se “ushtria e dinte” dhe “ofroi mbulim për një grabitqar me uniformë”, duke vënë në dukje se ishin bërë ankesa për McGraw si në Fort Hood ashtu edhe në Tripler.
Pesë vjet pas vrasjes së tmerrshme të Vanessa Guillén, një ushtare 20-vjeçare që shërbente në Fort Hood, akuzat e së cilës për ngacmim seksual u injoruan nga komandantët, shumë veta vënë në dyshim efektivitetin e reformave gjithëpërfshirëse të drejtësisë ushtarake që nga tragjedia. Disa kanë thënë se boshllëqet në procesin ligjor i lejuan McGraw të vazhdonte të vizitonte pacientë pavarësisht përpjekjeve të dyshuara për t’i raportuar ato më parë.
Shannon Hoff, drejtoreshë e Shield of Sisters, një organizatë jofitimprurëse që ofron mbështetje për të mbijetuarit e traumave seksuale ushtarake, tha se ka folur me dhjetëra gra që dyshohet se janë viktima të McGraw. “Secila prej tyre” i tha asaj se më parë ishin përpjekur ta raportonin atë te zyrtarët ushtarakë, tha Hoff, por pa sukses.
Padia pretendon se ndërsa ai ushtronte profesionin e mjekut në Tripler në Hawaii, “të paktën një paciente femër paraqiti një ankesë duke pretenduar se McGraw kishte regjistruar në mënyrë të paligjshme ekzaminimin e saj pelvik në celularin e tij. Në vend që ta hetonin ose ta largonin nga kujdesi ndaj pacientit, zinxhiri komandues i McGraw e hodhi poshtë ankesën dhe e lejoi atë të vazhdonte të ushtronte profesionin e mjekut”.
Historitë tronditëse të Megan dhe Lisa
Gruaja e ushtarit, të cilën CNN e quan me pseudonimin “Megan”, tha se ajo u përpoq vazhdimisht ta raportonte McGraw për sjellje të keqe gati një vit më parë, në fund të vitit 2024. Por ajo përfundoi duke u dorëzuar pasi hasi shumë pengesa.
Kur Megan vizitoi Qendrën Mjekësore Fort Hood në dhjetor 2024 për një infeksion sinusi, ajo kishte kërkuar të mos ekzaminohej nga një burrë. Ajo ishte një e mbijetuar e sulmit seksual. Kur McGraw hyri në dhomën e ekzaminimit, Megan tha se kërkoi që një anëtar i stafit mjekësor të ishte i pranishëm – diçka që pacientët kanë të drejtë gjatë ekzaminimeve të ndjeshme. McGraw i tha asaj se të gjithë ishin të zënë, tha ajo.
Megan tha se McGraw do ta vinte dorën në gjurin e saj, edhe pse ajo i tha se kjo e bënte të ndihej në siklet, dhe ai e shtyu atë të bënte një ekzaminim gjinekologjik. “E pashë sikur të ishte i çmendur, sepse ishte sinusit. Nuk kisha nevojë për një ekzaminim gjinekologjik”, tha Megan. “Ai tha, ‘Është në rregull, është koha për një. Është e detyrueshme’”.
Katër herë ai e shtyu atë që ta linte ta ekzaminonte, dhe katër herë ajo refuzoi, tha Megan. Ajo pranoi të bënte vetëm një ekzaminim të jashtëm të barkut. Por McGraw këmbënguli që t’i ekzaminonte gjinjtë dhe i kërkoi të ngrinte këmishën. Kur ajo refuzoi, ai ia ngriti këmishën, tha ajo. Kur ajo e hoqi, McGraw i preku gjinjtë ndërsa i ekzaminonte barkun.
Ai i mati barkun nga kocka pubike, pastaj i tha të ulej më poshtë. “Jo, nuk ke pse”, u përgjigj ajo, por ai ia tërhoqi poshtë getat, duke prekur zonën e saj të ndjeshme. “Nëse nuk i heq duart nga trupi im, do të të godas me grusht në fytyrë. Ekzaminimi mbaroi”, e ndaloi ajo.
Një grua iu afrua menjëherë nga pas tavolinës së pritjes së klinikës dhe, me lot që i rridhnin në fytyrë, i tregoi se çfarë kishte ndodhur. “Oh”, u përgjigj ajo me indiferencë, sipas Megan, e cila kërkoi të raportonte incidentin. Gruaja u përgjigj se të gjithë ata që mund ta dokumentonin incidentin ishin të zënë. Ajo mund të vinte më vonë ose të telefononte një numër.
Megan u largua dhe, gjatë disa javëve në vijim, u përpoq katër herë të paraqiste një ankesë zyrtare për atë që kishte ndodhur, vetëm për t’u transferuar nga një departament në tjetrin në Fort Hood dhe për t’u shkëputur. Askush nuk e mori deklaratën e saj. Megan hoqi dorë nga raporti kundër McGraw, lindi fëmijën e saj dhe përfundimisht u zhvendos me burrin e saj në një vendndodhje të re, duke lënë pas Fort Hood, por jo traumën e përvojës së saj atje.
Kur historia e McGraw u bë publike, burri i Megan ia tregoi lajmin në telefonin e tij. “A është ky mjeku për të cilin më tregove?” pyeti ai. “Po e hetojnë”. “Nuk e besoj”, u përgjigj ajo me mosbesim. “Jo, nuk është. Askush nuk interesohet”. Disa ditë më vonë, një hetues ushtarak kontaktoi Megan për të parë nëse McGraw e kishte abuzuar ndonjëherë si paciente…
Një grua tjetër, të cilën CNN e raporton si “Lisa”, shkoi në spital në verën e vitit 2021 për një test të rrahjeve të zemrës së fetusit, ndërsa ishte në fazat e fundit të shtatzënisë me fëmijën e saj të katërt. Ajo tha se e takoi McGraw ndërsa po dilte nga ndërtesa.
“Mund ta kontrolloj qafën e mitrës shumë shpejt”, i tha ai dhe e nxiti të shkonte te gjinekologu. Lisa, e cila fillimisht i besonte McGraw, tha se u përpoq ta refuzonte testin, por ai e ushtroi vazhdimisht presion mbi të dhe përfundimisht u dorëzua.
Gjatë testit, Lisa tha se McGraw e kishte celularin në xhepin e këmishës, me kamerën nga jashtë. “Ai më tha se priste një telefonatë, pasi ishte vetëm në klinikë”, i tha Lisa CNN. “Meqenëse telefoni i tij ishte në xhep gjatë çdo ekzaminimi, nuk mendova se ishte i çuditshëm”.
Ajo tha se ekzaminimi ishte shumë “i ashpër” – aq shumë sa “kur i plasën ujërat, lëngu amniotik u derdh në të gjithë dyshemenë”.
“Ai më tha me një përkulje koke dhe një buzëqeshje, ‘Sot do të kemi një fëmijë’, dhe pastaj më këshilloi të mos i tregoja askujt se më plasën ujërat derisa të largohesha nga baza, sepse të dy mund të ishim në telashe të mëdha”, tha Lisa. Ajo u kthye në shtëpi dhe më vonë atë ditë shkoi përsëri në spital me burrin e saj për të lindur.
Kur u raportua së fundmi se një obstetër i paidentifikuar në Fort Hood dyshohet se po i regjistronte fshehurazi pacientët e tij gjatë ekzaminimeve, Lisa pa emrin e një firme avokatie që përfaqësonte viktimat në një lajm dhe vendosi të telefononte të nesërmen.
Atë natë, ajo nuk mundi të flinte. Ajo përsëriti çdo moment që kishte rënë në kontakt me McGraw, duke vjellë dhe duke vrapuar para dhe mbrapa në banjo. Në mëngjes, Lisa telefonoi në linjën telefonike dhe pyeti: “A është ky Dr. Blaine McGraw?” “Po”, iu tha asaj.
“Një ditë, djali im do të më pyesë se si lindi, dhe unë nuk dua të flas për këtë”, thotë ajo sot. “Ai ma mori këtë dhe nuk do ta marr kurrë më mbrapsht”./EN
