Vjedhje e mashtrime të shumta me pacientë dhe medikamente janë kryer në Klinikën e Onkologjisë në Shkup. Gazetarja Irena Mulaçka e cila e para zbuloi keqpërdorimet në Onkologji, në Click Plus tregon se si pacientëve në prag të vdekjes u është kërkuar ryshfet prej 1500 eurove, me qëllim që siç thotë, t’u zgjatet jeta edhe pak. Megjithatë siç zbulon Mulaçka, atyre pacientëve u është dhënë thjesht terapi kundër ënjtjes.
“Pacientë të cilët kanë qenë në fazë terminale para vdekjes, u është premtuar se nëse japin nga 1000 deri 1500 euro, në një farë mënyrë do u ndihmohet t’u vazhdohet jeta. Familjet normalisht, shpresa e fundit vdes, kanë vrapuar pas mjekut, u kanë dhënë para, mirëpo ai motrave të repartit u ka thënë se duhet të japin terapi të cilën e dinë gjysma e klinikës. Terapinë e dinë të gjithë por ajo që ka ndodhur nuk e tregon askush. Bëhet fjalë për “Manitol”, ilaç kundër ënjtjes. “Deksazon”, antibiotik dhe vitamin C”, sqaroi Irena Mulaçka, gazetare e “Fokus”.
Gazetarja Mirosllava Simonovska nga “Sloboden Peçat”, thotë se në “Ultra Sistemin” e Onkologjisë ende figurojnë si të gjallë pacientë të cilët kanë vdekur. Vërejtje ka edhe te buxheti i klinikës, për shkak se nuk i përmbushë nevojat e pacientëve.
“Dua të tregoj se kemi zbuluar se të gjithë pacientët, pavarësisht nëse kanë vdekur apo ende janë gjallë, në atë sistem figurojnë si të gjallë. Nuk ekziston mënyrë, dosja e pacientit në atë ultra sistem të mbyllet për shkak se ka vdekur. Reversi ndodh për shkak se buxheti bazë për blerjen e terapisë biologjike të cilën e jep ministria e shëndetësisë dhe fondi i shëndetësisë, është disa herë më i ulët se nevoja e pacientëve”, tha Mirosllava Simonovska, gazetare e “Slloboden Peçat“
Parregullsitë në Klinikën e Onkologjisë në një intervistë për REL i vërtetoi edhe revizori kryesor shtetëror Maksim Acevski. Sipas tij, Klinika e Onkologjisë posedon akselerator për mjekim të pacientëve në Onkologij, por për shkak moskrijimit të kushteve, aparatet nuk janë vënë në funksion. Problem ka edhe në mënyrën si është udhëhequr dhënia e terapisë.
“Nëse mund t’i shihni rregulloret apo përmbajtjen e revizionit përfundimtar, apo rezymenë e raportit përfundimtar, revizorët vërtetuan se faktikisht se ka probleme në vet mënyrën e dhënies së terapisë, personat që vendosen në terapi, furnizimi i terapisë dhe evidenca e saj. Gjithashtu ajo që mungon apo ajo që është negative në punën e vet klinikës, kemi një numër të madh të obligimeve që janë ndërmarrë jashtë buxhetit të konfirmuar të vet klinikës”, u shpreh Maksim Acevski, EshR.
Përndryshe për skandalin në Klinikën e Onkologjisë është formuar edhe Komision Anketues nga deputetët në Kuvend, kryetare e së cilës është zgjedhur deputetja Rashela Mizrahi nga VMRO-DPMNE. Qëllimi i këtij komisioni është që të vërtetojë nëse ka përgjegjësi politike në skandalin në Onkologji.
