Skandal: Doktori duke përdorur kokainë! Reagime dhe hetime: Ministri e shkarkon, Oda e Mjekëve shqyrton rastin

TË FUNDIT

Një video skandaloze që u bë publike tregon ish-drejtorin e Klinikës Universitare të Neurologjisë, Igor Kuzmanovski, duke përzier kokainë dhe duke shpjeguar përdorimin e saj, madje duke pohuar se kishte marrëveshje me shpërndarës për të siguruar lëndën më të pastër. Ky incident shkaktoi reagime të fuqishme në publik, dhe menjëherë pas daljes së videos, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, vendosi shkarkimin e tij, ndërsa ende nuk dihet nëse do të ndiqet edhe përgjegjësi penale.

“Brenda afatit më të shkurtër do të emërohet një drejtor i ri sipas procedurave ligjore. Puna në Klinikë vazhdon pa pengesa”, tha Azir Aliu.

Kuzmanovski përmes rrjeteve sociale dërgoi falje për publikun, duke theksuar se kjo ndodhi para se të merrte funksionin e drejtorit të Klinikës, por se do të vazhdojë të punojë si doktor.

“Shpreh keqardhje të thellë dhe kërkoj falje për veprimin që ka ndodhur shumë para se unë të merrja menaxhimin e Klinikës për neurologji. Kërkoj falje për të gjithë ata që i kam zhgënjyer, dhe do të vazhdoj të punoj si doktor, atë që di më së miri, dua dhe jetoj, të shpëtoj jetë, ndihmoj dhe punoj për të mirën e komunitetit”, Deklaroi Igor Kuymanovski, ish-drejtor i Klinikës së Neurologjisë.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se kjo është një çështje serioze dhe se një doktor në këtë gjendje mund të rrezikonte jetën e pacientëve. Prandaj kërkoi nga Oda e Mjekëve të ndërmarrë masa.

“Mendoj se Oda e Mjekëve duhet të reagojë për të bërë një vlerësim se sa kohë ka ndodhur kjo, pra nëse një doktor në një gjendje të tillë mund të trajtojë pacientë. Kjo është një çështje shumë serioze, ndoshta jetët e disa pacientëve të tij mund të ishin rrezikuar nëse ai do të ishte në një gjendje të tillë, pa paragjykuar, por kjo çështje meriton analizë dhe kontroll serioz nga Oda”, u shpreh Venko Filipçe.

Nga Oda e Mjekëve thonë se rasti do të shqyrtohet së shpejti dhe se më pas do të vendoset çfarë do të ndërmerret.

“Oda e Mjekëve me shqetësim ndjek informacionet lidhur me dr. Igor Kuzmanovski dhe thekson se profesioni i mjekut ka një dimension specifik që kërkon sjellje të lartë etike dhe morale. Rasti konkret dhe informacionet e disponueshme lidhur me të do të shqyrtohen nga organet dhe trupat e Odës, të cilët do të veprojnë sipas kompetencave”, thotë Oda e Mjekëve.

Ndryshe, jozyrtarisht thuhet se tashmë po zhvillohen bisedime me tre kandidatë potencialë për drejtor të ri të Klinikës së Neurologjisë.