Ende nuk ka zgjidhje për problemin financiar në ngrohtoren Shkup-Veri, që mbulon Çairin dhe Butelin. Edhe pse u takuan, drejtori i ngrohtores Kushtrim Ramadani dhe ai i EMV-së Vasko Kovaçevski nuk gjetën gjuhë të përbashkët. Të dyja palët thonë se nuk kanë probleme me njëra-tjetrën por kur vjen puna për marrëveshje, nuk mund të bien dakord.
“Ne nuk kemi aspak problem për bashkëpunim, jemi për bashkëpunim mirëpo ligji për shoqëri tregtare na obligon që ne ta mbrojmë shoqërinë tonë në mënyrë maksimale. Vetëm aty e kemi problemin, unë sërish po them që kërkuam që të na kompensohet diferenca mes çmimit real të gazit dhe çmimit të aprovuar nga KRrE. Mendoj se kjo është mënyra më e lehtë për të dyja palët, më transparente dhe e pastër për të gjithë”, tha Kushtrim Ramadani, drejtor i ngrohtores “Shkup-Veri”.
Por edhe sa ditë janë në dispozicion për të siguruar gaz për “Shkup-Veriun”?
“Kohë ka vetëm disa ditë, për atë duhet të punojmë urgjent në këtë drejtim, nëse ne nuk mundemi të arrijmë marrëveshje me CEMV atëherë duhet të kyçet edhe qeveria dhe të zgjidhim problemin”, pohoi Kushtrim Ramadani, drejtor i ngrohtores “Shkup-Veri”.
Pyetëm edhe drejtorin e EMV Vasko Kovaçevskin, se si shkoi takimi, por prej atje nuk pranuan të deklarohen para kamerës, vetëm përmes telefonit na thanë se nuk ka diçka të re.
“Në takimin që u realizua me drejtorin e ngrohtores Shkup-Veri nuk u vendos diçka e re. Së shpejti do të dalim me propozime konkrete dhe do t’i listojmë në marrëveshje”, thonë nga EMV.
Ajo që dihet është se Kovaçevski i kërkon Ramadanit të kthej mjetet me të cilat EMV e ka ndihmuar në sezonin e kaluar, ndërsa për të nënshkruar marrëveshje të re për ndihmë financiare kërkon që Shkup-Veriu të garantojë me pronë. Përndryshe Shkup-Veri përfshinë 500 konsumatorë, ndërsa pret që EMV t’ia ndajë rreth 1 milion euro.
