Nuk ka zgjedhje të parakohshme parlamentare! Ato do të jenë të rregullta në vitin 2024, pavarësisht kërkesave të opozitës. Ky është vendimi i partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilët sot u mblodhën në takim, ku miratuan dhe nënshkruan deklaratë për të siguruar stabilitet për qytetarët, ekonominë vendase dhe sektorin e biznesit në kushte të krizës globale.
“Qëllimi i kësaj deklarate është që të jep garancinë shtesë dhe të fortë por edhe përkushtim të qartë politik për përshtatjen e politikave për pa tjetërsimet për ballafaqim me efektet negative nga kriza më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore. Nga këtu bashkërisht vendosëm që zgjedhjet e përkohshme nuk do t’i zgjidhin problemet e qytetarëve, por do t’i thellojnë edhe më shumë, për këtë e mbyllim këtë çështje, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në terminin e rregullt, në vitin 2024”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.
I pyetur se si do të funksionojë me bllokadat që bën dhe paralajmëron opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE edhe në nivel lokal, Kovaçevski nuk dha ndonjë zgjidhje konkrete. Në përgjigje madje i ndihmoi edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, me çka shpërthyen të qeshurat.
-Do të ju tregoj se si do të funksionojmë, tha Kovaçevski
-Sikurse deri tani, tha Ahmeti.
-Sikurse deri tani, përsëriti Kovaçevski.
“Në lidhje me bllokadat në Kuvend, secili mund të bllokojë, por është papërgjegjësi, kështu që unë edhe një herë apeloj se duhet të jenë në krye të detyrës dhe gjithçka që është në interes të qytetarëve e çdo ligj në Kuvend janë ose në interes të qytetarëve ose në interes të kompanive, ku interes jo të drejtpërdrejtë kanë edhe qytetarët, që të sillen pa pengesa”, deklaroi Kovaçevski.
E VMRO-DPMNE-ja edhe sot përsëriti kërkesën për zgjedhje të parakohshme.
“Krerët e koalicionit që sot mblidhen në qeveri janë praktikisht arsyeja për të gjitha krizat që ndodhet ky shtet dhe të gjitha problemet e vendit, të gjitha krizat, krimet dhe korrupsioni dhe arsyeja për varfërinë e popullatës. Këto pesë vite, jo vetëm që nuk na çuan as një milimetër përpara, por edhe shkatërruan shtetin. Presim nga Kovaçevski dhe liderët tjerë të partive që të tregojnë pak guxim dhe të dalin në zgjedhje të parakohshme“, tha Mile Lefkov –VMRO-DPMNE.
Të pranishëm në takim me liderin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ishte kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, kreu i Alternativës Afrim Gashi, kryetari i PLD-së Goran Milevski dhe përfaqësues të partive tjera të koalicionit.
