Kryetar i Strugës Ramiz Merko do të vazhdojë të jetë në bankën e të akuzuarit për blerjen e makinës luksoze “Audi A6” me vlerë 67 mijë euro dhe tre veturave të tjera për nevojat e komunës në vlerë prej 114 mijë euro. Kjo për shkak se Gjykata e Strugës mori vendim se nuk pranohet propozimi i mbrojtjes për vjetërsim të lëndës.
Duke folur se kur mund të pritet vendim për këtë rast, gjykatësi Jovanov tha se nuk mund të jepet përgjigje konkrete, sepse varet nëse sigurojmë praninë e dëshmitarëve. Lista është e gjerë, por kjo, sipas tij, nuk do të thotë se ato do të pranohen në tërësi. Nga mënyra se si është paraparë vepra, gjykatësi mendon se vjetërsimi i plotë është viti 2028.
Për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, parashikohet dënim me burg nga një deri në katër vjet. Megjithatë, mbrojtja e Merkos beson se klienti i tyre nuk është fajtor.
Sa i përket seancës për pllakën e vendosur në hyrje të ndërtesës së komunës, e cila u konsiderua si nënçmim nga komuniteti maqedonas, ajo u anulua për shkak të problemeve shëndetësore të gjykatësit.