Ora 3 e mëngjesit. Në Shkup ajër i ndotur dhe kundërmim. Stacionet matëse treguan ndotje të ajrit deri në 20 herë më të lartë në krahasim me nivelin e lejuar prej 50 mikrogramëve për metër kub. Stacioni në “Maxhir Mëhallë” mati nivel të rrezikshëm të ndotjes, madje 891 mikrogramë për metër kub.
-Filloi sezoni i ajrit tejet të ndotur dhe të rrezikshëm për shëndetin e secilit prej nesh. Por, shteti vendosi se më nuk ia vlen që ky problem të jetë prioritet. U anulua programi për uljen e ndotjes së ajrit dhe nuk ka para për këtë qëllim. Tani mbetet që ajri t’i marrë viktimat e tij në nivel vjetor, mbi 3.600 njerëz të vdekur para kohe.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bën me dije se nga sot hyjnë në fuqi rekomandimet dhe masat nëse tejkalohet pragu i lejuar, edhe atë në Shkup, Kavadar, Kërçovë dhe Strumicë si pasojë e ndotjes dhe pranisë së përqendrimeve të larta të grimcave PM10 në këto qytete.
Sipas rekomandimeve, të gjitha subjektet juridike duhet t’i lirojnë nga obligimet e punës gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, personat që kanë pasur infarkt miokardi ose sulm në tru. Ta riorganizojnë orarin e punës në ambiente të hapura nga ora 11 deri në 17, si dhe të mos mbahen gara sportive dhe manifestime të tjera kulturore në të hapur.
Qytetarët filluan të paguajnë çmimin, shkaku i ajrit të ndotur. Personat me astmë janë pacientët më të shpeshtë në Klinikën e Pulmologjisë, ndërsa këto ditë është regjistruar fluks edhe në ambulancat e vendit.
“Ankohen për kollitje, frymëmarrje të rënduar, e disa kanë edhe fishkëllima në gjoks. Disa prej tyre janë pacientë kronikë të cilët janë pacientë të rregullt tek ne, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tyre vijnë sërish. Por, ka edhe pacientë që për herë të parë ankohen për këto simptoma. Në rast se nuk ka nevojë të dalin në periudhat më kritike, personat me sëmundje kronike duhet të qëndrojnë në shtëpi, por kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme. Nëse e kanë patjetër të dalin, le të mbajnë maskë N95. Dikush do të thotë se sërish po kthehen maskat, por maskat mbrojnë edhe nga viruset, të cilat janë shtuar ndjeshëm këtë periudhë”, pohoi dr.Dejan Dokiq, drejtor i Klinikës së Pulmologjisë.
Përndryshe, Shkupi dje u rendit në vendin e tretë në listën e qyteteve më të ndotura në botë, por sot në mëngjes kryeqyteti u gjet në vendin e nëntë. Nivel i lartë i ndotjes është matur edhe në Gostivar, ndërsa për shkak të problemeve me sistemet e rrjetit dhe me instalimin e pajisjeve të reja të serverit, të dhënat nga pikat matëse në Tetovë dhe Gjevgjeli janë të paqasshme.
