S’ka parakushte që Kosova të heq masën me 3 vaksina, Sali: Vizita e Ahmetit në Prishtinë, politike

TË FUNDIT

Për të udhëtuar në Kosovë, ende ju duhet tre doza të vaksinës ose dy doza dhe një test PCR. Nuk ka parakushte që shteti ynë fqinj të heq këtë kusht nga kufijtë, për shkak se këtë nuk e lejon situata epidemiologjike me Covid-19.

Kështu deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, i cili thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me homologun e tij kosovar, ministrin Rifat Latifi.

“Tani për tani e dini se situata në Kosovë është ende alarmante dhe nuk ka parakushte për të lehtësuar hyrjen në atë shtet”, tha Sali.

Ministri Bekim Sali bëri të ditur se nuk ka qenë i informuar për vizitën e kreut dhe funksionarëve të BDI-së në Prishtinë me kabinetin qeveritar të Kosovës, aq më pak i ftuar. Kjo vizitë ka qenë më shumë politike se sa e ekspertëve, u shpreh ai.

“Nuk mund të jap ndonjë deklaratë në lidhje me vendimet e ndonjë lideri partiak. Ajo vizitë më shumë ka qenë politike se sa e ekspertëve. Mes tjerash u njoftova përmes mediave se ka qenë e diskutuar edhe lehtësimi i masave që kanë qenë të ndërmarra nga ana e Republikës së Kosovës, nuk kam ndonjë informacion në lidhje me këtë”, tha më tej Sali.

Ndërkaq Kosova nga 24 janari ka vënë në fuqi vendimin që hyrjet në territorin e saj të bëhen vetëm me tre doza të vaksinës anti-Kovid apo me dy doza të vaksinës dhe test PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë. Kjo masë është në fuqi deri më 4 shkurt, deri atëherë pritet të mblidhet Qeveria e Kosovës dhe të rishqyrtojë situatën me pandeminë me çka edhe do të mësohet nëse do të hiqet ky kusht apo do të vazhdohet edhe për një periudhë kohore.